Kosova e Shqipëria me terminal të përbashkët doganor
Mustafa e ka cilësuar këtë marrëveshje shumë të rëndësishme për të dy vendet. Sipas tij, nga kjo marrëveshje nuk përfitojnë vetëm bizneset, por edhe qytetarët.
"Bashkëpunimi ynë ekonomik, i përcjellë edhe me bashkëpunimin në fusha tjera, do të jetë shprehje e lidhjes tonë, shprehje e mosekzistimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe shprehje e synimeve tona për tu integruar në Bashkimin Evropian dhe të gjitha interesat tona të përbashkëta ti arrijmë si pjesë e familjes së madhe evropiane", ka theksuar Mustafa.
Ky tranzit sipas tij do të mundësoj që të përfitojnë qytetarët e të dy vendeve, të përfitojnë bizneset në rend të parë, të përfitoj poashtu edhe efiçienca në fushën e tatimeve dhe në fushën e doganave, sepse do të bëhet shumë efiçiente kjo procedurë e doganimit, përkatësisht zhdoganimit, do të bëhet poashtu edhe një rezultat më i madh sa i përket luftimit të evazionit fiskal dhe përfitimit të procedurave të përgjithshme të efikasitetit në fushën e politikave fiskale, të cilat jemi shumë të interesuar që ti bëjmë bashkërisht.
"U konstatua edhe nga dy drejtorët e doganave se qëllimi i kësaj nuk është vetëm të shkurtojmë procedurat kohore të zhdoganimit, por qëllimi është edhe të ulim koston nga e cila do të përfitojnë bizneset në mënyrë të drejtpërdrejt, do të përfitojnë edhe qytetarët, sepse do të realizojnë mallra dhe do ti konsumojnë ato me çmime më të ulëta."
'Ne jemi të interesuar që të bashkëpunojmë edhe më tutje, jemi të interesuar që këtë fushë të doganave ta përmirësojmë në mënyrë që të përfitojnë qytetarët në radhë të parë, dhe në mënyrë që bizneset në të dy anët të kenë favore që iu takojnë atyre, por këto favore të shkojnë edhe deri tek qytetari i fundit në konsumimin e të mirave që ne do ti realizojmë si rezultat i këmbimeve të përbashkëta", theksoi Mustafa.
Ndërkaq, kryeministri Rama ka thënë se marrëveshja njëson të dy anët e kufirit dhe zhduk burokracitë që shkaktojnë vonesa në dogana.
Dy anët e kufirit kanë nevojë për këtë pikë shërbimi, jo për tu vonuar po për ta pasur një pikë kalimi pa vonesa dhe kurrfarë pengese. Mjaftojnë vetëm pesë minuta për të kaluar, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, për të dyja shtetet do të ketë një zyrë të vetme kontrolli.
Kufijtë janë pika bashkimi dhe jo ndarje, kjo ka qenë bindja jonë për bashkimin kombëtar dhe evropian me Kosovën, ka theksuar Rama.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ministri i Financave i Shqipërisë, Shkëlqim Cani dhe drejtoresha e përgjithshme e Doganave Erisa Spiropali, e cila tha se do të shkurtohen ndjeshëm procedurat e kontrollit në kufi.