Kosova dhe Serbia me pika të përbashkëta doganore në kufij
Prishtinë, 12 nëntor - Kosova ka pranuar një propozim që e pati refuzuar një muaj më parë. Propozimi parasheh që Kosova dhe Serbia të kenë pika të përbashkëta doganore në kufij, pa e obliguar Serbinë që të pranojë Kosovën si shtet.
Qeveria e Kosovës është pajtuar që pikëkalimet kufitare me Serbinë të menaxhohen në sistemin e integruar, sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
Në to parashihet të patrullojnë në mënyrë të përbashkët doganierë dhe zyrtarë kufitarë nga Kosova, Serbia dhe EULEX-i.
Propozimi ka ardhur si rezultat i një procesi paralel me procesin e dialogut, kanë shpjeguar për gazetën Koha Ditore burime ndërkombëtare.
Tash është gjetur pajtimi, andaj menaxhimi i integruar i kufijve do të ndodhë.
Procesi paralel i dialogut ka nisur nga konsultimet e vazhdueshme që ndërmjetësi i BE-së, Robert Cooper, ka pasur me shefin e ekipit serb të bisedimeve, Borislav Stefanovic, dhe kryenegociatoren kosovare, Edita Tahiri.
Në këtë mënyrë, Serbia ka përmbushur kërkesën e vet për të biseduar për pikëkalimet kufitare dhe ka plotësuar një kriter për integrimin evropian. Kriteri do të plotësohet edhe nga Kosova.
Në procesin e gjetjes së zgjidhjeve për pikëkalimet kufitare kanë qenë të përfshira edhe misionet ndërkombëtare në Kosovë, përfshirë ato diplomatike.
Me pranimin e këtij propozimi, menaxhimi i pikëkalimeve kufitare është bërë pjesë e dialogut teknik, gjë që zyrtarët e Qeverisë Thaçi, përfshirë vetë kryeministrin, e patën kundërshtuar disa herë publikisht.