Kosova dhe Hungaria synojnë rritjen e shkëmbimit tregtar
Prishtinë, 3 tetor - Zëvendës-Kryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behxhet Pacolli, ka pritur në një takim të ndarë Ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László Márkusz.
Në kuadër të këtij takimi është diskutuar për ri-orientimin e bashkëpunimit ekonomik, me fokus të veçantë në nxitjen e shkëmbimit tregtar ndërmjet dy vendeve dhe atë të tregut të përbashkët të BE-së.
Zëvendës - Kryeministri i parë dhe Ministri i Jashtëm Pacolli ka shprehur gatishmërinë që Hungaria të jetë edhe më e pranishme në tregun kosovar, me synimin që të krijohen mundësi edhe për palën kosovare dhe veç kësaj të shikohen mundësitë e krijimit të partneriteteve të reja në mes dy vendeve në funksion të arritjes së këtij qëllimi.
Po ashtu, Zëvendës-Kryeministri i parë dhe Ministri i Jashtëm, Pacolli e ka vlerësuar mbështetjen e Hungarisë me kredinë e butë që i ka dhënë Kosovës dhe e cila synohet të investohet në projekte mjedisore.
Një falënderim i veçantë ndaj Ambasadorit hungarez është bërë edhe për mbështetjen hungareze me 50 bursa për studentë kosovarë që studiojnë në Universitete të këtij vendi.
Në margjina të këtij takimi, Ambasadori hungarez e ka informuar Zëvendës-Kryeministrin e parë dhe Ministrin e Jashtëm, z. Pacolli edhe për takimin e Ministrave të Jashtëm të Grupit të Vishegradit, që pritet të mbahet në Budapest.