Kosova dhe Çekia gati për marrëveshje
Prishtinë, 30 qershor - Republika e Kosovës dhe Republika e Çekisë të enjten kanë finalizuar negociatat që kanë për qëllim nënshkrimin e marrëveshjes për eliminimin e tatimeve të dyfishta në mes të këtyre vendeve.
Këto negociata janë zhvilluar në mes të delegacionit nga Ministria e Financave të Kosovës dhe delegacionit nga Ministria e Financave të Çekisë.
Finalizimi i këtyre negociatave në nivelin teknik do të bëjë të mundur që në një të ardhme të afërt të bëhet edhe nënshkrimi formal i kësaj marrëveshje nga përfaqësuesit politik nga të dyja vendet, në mënyrë që marrëveshja të jetë efektive sa më shpejt.
Kjo marrëveshje është në interes të të dyja vendeve, me qenë se do të bëjë të mundur eliminimin e tatimeve të dyfishta për kompanitë të cilat duan të investojnë.
Kontaktet e vazhdueshme me Republikën e Çekisë deri më tani kanë ngritur nevojën e nënshkrimit të një marrëveshje të tillë, e cila pritet të jep efekte pozitive në rritjen e investimeve te jashtme direkte në Kosovë si dhe hapjen e mundësive për investime të kompanive kosovare në shtetin çek.