Kosmonte Foods depërton me sukses në tregun e Gjirit Persik
Prishtinë, 26 mars - Sot, kreu i OEK-ut, Safet Gërxhaliu vizitoi ndërmarrjen Kosmonte Foods nga Prishtina dhe u njoh për së afërmi me aktivitetin e kësaj ndërmarrjeje e cila ka filluar të operojë edhe në vendet e Gjirit Persik.
Se në Kosovë ekzistojnë kompani të cilat janë mburrje jo vetëm vendore por edhe më gjerë jam duke u bindur nga dita në ditë pas vizitave që bëjë në ndërmarrjet Kosovare dhe njëra ndër to që më fascinoi me një organizim modern, me një profesionalizëm të nivelit botëror, me një qarkullim prej më së 20 milion euro në vit, me afro 100 punonjës dhe me projekte mjaftë ambicioze për prodhim dhe grumbullim të produkteve bujqësore në të ardhmen është kompania Kosmonte Foods nga Prishtina theksoi Gërxhaliu me rastin e vizitës në këtë kompani e cila duhet të jetë model i ndërmarrësisë vendore e cila udhëhiqet nga pronari Lulzim Begaj.
Të fitosh besimin e kompanive më prestigjioze siç është Zott, Bayernland, Woerle, Exquisa, Bergader, Perutina, Frenzel,Mokate, Gedime, Kinder Pengui, Salzburgerland, etj. nuk është lehtë. E tëra kjo nënkupton një përkushtim të pafund dhe korrektësi në raporte me partnerë dhe vetëm në këtë mënyrë mund të arrish sukses jo vetëm në tregun vendor por edhe atë ndërkombëtar pohoi z. Begaj.
Pas një përvoje të arritur në Kroaci dhe vende të ndryshme evropiane Drejtori i kësaj ndërmarrjeje thekson se qëllimi i tij ishte të kontriboj në Kosovë qoftë përmes qarkullimit të kontriboj në buxhetin e konsoliduar të Kosovës, në kontributin social përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe mbi të gjitha përmes profesionalizmit të promovohen vlerat e ndërmarrësisë kosovare.
Sot, në paletën e produkteve që kjo ndërmarrje ofron janë më se 500 produkte të standardeve evropiane të prodhuara nga prodhues eminent që brendi dhe kualiteti kanë kushtuar vëmendje të madhe dhe falë profesionalizmit dhe përkushtimit sot Kosmonte foods është kompania e parë evropiane që ka depërtuar në tregjet e Emirateve të Bashkuara Arabe, Oman dhe vendeve tjera të Gjirit Persik dhe ky sukses në këto tregje na ka inkurajuar për forcimin e investimeve për grumbullim e pemëve dhe perimeve dhe konservimin e tyre për tregjet e huaja. Investimet do të jenë rreth 1 milion euro dhe pritet të punësohen rreth 20 punëtorë të rinj.
Është koha kur duhet të eliminohen barrierat dhe të përkrahet sektori privat si parakusht i tërheqjes se investitorëve të huaj në Kosovë. Ne mbetemi këtu dhe fitimin e arritur do ta investojmë prapë në Kosovë. Andaj besojmë që duhet të kemi një mbështetje institucionale më të madhe që nga ne të reflektojë atraktiviteti për ti inkurajuar investitorët e rinj të investojnë në Kosovë.
Pas vizitës të depove, frigoriferëve, sallave për trajnime që bëri z. Gërxhaliu tha se nuk është për tu çuditur që kjo kompani ka depërtuar në tregjet e huaja kur organizimi dhe menaxhimi dhe standardet janë ndërkombëtare.
Është e vërtetë se duhet të eliminohen procedurat burokratike dhe ekonomia vendore duhet të jetë prioritet institucional përmes përkrahjes së sektorit privat dhe NVM-ve, e në veçanti për ato ndërmarrje të cilat kanë krijuar një bazë të shëndoshë në ofrimin e shërbimeve dhe kontribuojnë në përmirësimin e situatës sociale shtoi Gërxhaliu.