Korrupsioni ka dëmtuar dhe ka larguar shumë investimet e huaja
Prishtinë, 23 maj - Sot në konferencën e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, respektivisht me Agjencinë për Promovim të Investimeve dhe Mbështetje te Ndërmarrjeve si dhe me Ambasadën e Britanisë së Madhe në Prishtinë, u bë prezantimi i të gjeturave të hulumtimit \"After Care (Përkujdesja ndaj Investitorëve).
Synimi i këtij hulumtimi ka qenë identifikimi i problemeve dhe barrierave që kanë investitorët dhe promovimi i shërbimit të përkujdesjes dhe ofrimit të zgjidhjeve nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, duke folur për këtë hulumtim tha se studimi ka ofruar të gjetura mjaft interesante, të cilat do të jenë një udhërrëfyes edhe për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, por edhe për Ministritë tjera, të cilat në mandatin e vet kanë si qëllimi përmirësimin e mëtutjeshëm të ambientit biznesor në Kosovë.
Ky studim është ndërmarrë për të marrë opinionin e investitorëve në periudhën pasi që kanë kryer investimet e tyre në Kosovë dhe për të informuar ata për përmirësimet e vazhdueshme të kornizës ligjore dhe iniciativave të tjera pasi që nganjëherë po krijohet përshtypja se elita politike e Kosovës është e interesuar vetëm për të investime te reja, ndërkohë që po neglizhon investitorët te cilët kanë investuar tashmë në Kosovë.
Në fakt, nuk është ashtu për shkak se nga përmirësimi i ambientit të biznesit përfitojnë edhe investitorët, që tashmë janë në Kosovë. Investitorët që tashmë janë prezent qofshin të huaj apo edhe vendorë janë pjesa më e rëndësishme e ekonomisë së Kosovës, për shkak se këta janë këtu dhe duhet ti mbajmë këtu dhe duhet tiu krijojmë kushte të favorshme në mënyre që të prosperojmë me agjendën e zhvillimit ekonomik, potencoi ministrja Bajrami.
Në mes tjerash, ministrja Bajrami përmendi se Qeveria e Kosovës ka arritur rezultate të rëndësishme në krijimin e klimës sa më të mirë të të bërit biznes dhe se rezultatet e ndryshimeve të rëndësishme ligjore do ti gëzojnë si investitorët aktualë po ashtu edhe ata që në të ardhmen do të investojnë në Kosovë. Përmirësimet në ambientin e të bërit biznes dhe iniciativat tona po vazhdojnë për të krijuar një ambient më të favorshëm për investime dhe se janë bërë përmirësimet të dukshme, ku shumica e atyre përmirësimeve janë të njohura për investitorët e huaj dhe për ata vendorë, bëri të ditur ajo..
Ajo, më tej theksoi se dialogu publiko-privat është intensifikuar përmes Këshillit Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik, i cili deri më tani ka mbajtur 5 takime, ku agjendat e këtij forumi derivojn; nga kërkesat e asociacioneve te biznesit të cilët janë anëtarë të respektuar të KKYHE-së dhe se deri më tani të gjitha çështjet që janë ngritur aty janë zgjidhur. Po ashtu, ajo përmendi se në kuadër të këtij Këshilli, me vendim të Qeverisë së Kosovës e kemi formuar një Task Force për përmirësimin e ambientit të biznesit, për Raportin e Bankës Botërore për Të Bërit Biznes, dhe se tashmë pesë ministri po punojnë në përmirësimin e indikatorëve në të bërit biznes. Ambasadori Ruari OConnell, në mes tjerash citoi:
Investitorët kanë nevojën për ndihmën tonë, nuk mjaftojnë vetëm që të sjellin kapitalin këtu, atyre ju duhet përkrahje dhe shtet i fort ligjor. Duhet që çdo problem që ata kanë tu zgjidhet në mënyrë të shpejtë dhe të drejtë nga sistemi gjyqësor i Kosovës, citoi OConnell. Z. Gërxhaliu nga Oda Ekonomike e Kosovës thëksoi se komuniteti i biznesit është duke e ndjerë përmirësimin e vazhdueshëm të ambientit biznesor dhe kjo vije si rezultat i bashkëpunimit të mirë të të gjithë aktorëve , në veçanti të MTI-së, dhe potencoi se dialogu publiko privat është përmirësuar dukshëm në periudhën 2015-2016.
Kurse Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruari OConnel, ka deklaruar se investitorët e huaj kanë nevojë për përkrahje dhe duhet një shtet i fort ligjor për zgjidhjen e shpejtë të problemeve të tyre. Ata janë faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, andaj edhe duhet atë të nxiten për investime, ka deklaruar ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruari OConnel
Hulumtimi After Care (Përkujdesja ndaj Investitorëve) ka mbledhur informata rreth eksperiencës së investitorëve të huaj në Kosovë, në lidhje me mjedisin e biznesit që ofron Kosova për investime të jashtme, si dhe ndikimi i investitorëve aktualë që i vazhdojnë investime edhe më tej, e të cilët kanë ndikim të rëndësishëm për investimet në të ardhmen.