Koreja e Jugut ndërpret importin e naftës nga Irani
Seul, 27 qershor - Koreja e Jugut do të ndërpresë importin e naftës së papërpunuar nga Irani.
Arsyeja e këtij vendimi, që do të zbatohet duke filluar nga data 1 korrik, është se Bashkimi Evropian u ka ndaluar agjencive evropiane të sigurimeve që të sigurojnë anijet cisternë, të cilat transportojnë naftë iraniane.
Vendimi në fjalë bën që Irani të humbasë edhe klientin e tij të katërt më të madh.
Eksporti i naftës së papërpunuar, që ka shënuar një rënie tepër serioze për shkak të embargove, ka rëndësi shumë të madhe për ekonominë e Iranit.
Nëpërmjet këtyre embargove ndërkombëtarët po përpiqen që ta detyrojnë Iranin të heqë dorë nga programi bërthamor, por Teherani zyrtar nuk dëshiron aspak të bëjë hap prapa në këtë çështje.
Vendimi i vetëm, që doli nga negociatat bërthamore, zhvilluar së fundmi në kryeqytetin Moskë të Rusisë, kishte të bënte me vendin dhe datën e takimit të ardhshëm.
Etapa e katërt e bashkëbisedimeve atomike ndërmjet Iranit dhe vendeve P5+1 do të fillojë në Stamboll, më datë 3 korrik.