Kontrabanda në veri ka gjetur rrugë të papenguara
Prishtinë, 14 maj - Mbi dhjetë rrugë në veri të Kosovës po shfrytëzohen për kontrabandën e mallrave nga Serbia. Ato shfrytëzohen për futjen e naftës, cigareve, e mallrave të tjera ushqimore.
Marrja nën kontroll e portave kufitare 1 dhe 31 në Bërnjak dhe Jarinjë, më 27 korrik të vitit të kaluar, nga ana e autoriteteve ndërkombëtare nuk e ka ndalur kontrabandën.
Koha Ditore ka siguruar skica dhe raporteve të dhjetëra rrugëve të hartuara nga autoritetet e rendit. Rajoni i Zubin-Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit shfrytëzohet për kontrabandë dhe krim të organizuar.
Policia e Kosovës, ajo e EULEX-it dhe KFOR-i dinë për to, por nuk është bërë asnjë hap serioz për bllokimin e këtyre rrugëve alternative. Bile njëra prej tyre kalon rrënjë kampit Nothing Hill në afërsi të Zveçanit.
Strukturat paralele serbe, në bashkëpunim me grupet kriminale të ndryshme, posaçërisht me grupet e organizuara të kontrabandistëve, kanë organizuar shfrytëzimin e rrugëve alternative për qarkullim Serbi Kosovë dhe anasjelltas, ka konstatuar Policia e Kosovës në një raport të ditëve të fundit që u është dorëzuar institucioneve të Kosovës.
Këto struktura kanë organizuar edhe zgjerimin dhe përforcimin e rrugëve të dyta alternative, të cilat, po ashtu, lidhin Kosovën dhe Serbinë, përmes të cilave tani ka filluar qarkullimi i automjeteve, të cilat nuk lejohen të hyjnë përmes pikave kufitare, si dhe i mjeteve te ndryshme transportuese, të cilat bartin mallra të ndryshme si ushqimore ashtu edhe komerciale.
Doganat dhe Policia e Kosovës e kanë pranuar se po zhvillohet kjo kontrabandë. Sipas Doganës, prej korrikut të vjetëm kontrabanda nëpërmjet pikave kufitare është zero, por jo nëpër vendkalime të tjera.
Zëdhënësi Adriak Stavileci thotë se Dogana ka shtrirë autoritetin e vetë mbi dy pikat kufitare në veriun e Kosovës. Që nga ajo kohë, sipas tij, kontrabanda përmes dy vendkalimeve kufitare ka rënë në zero, por nuk mund të thuhet se kjo vlen edhe për disa rruge ilegale.
Kemi informacione se sasi të konsideruara të mallrave futen përmes këtyre rrugëve ilegale, por pasi nuk kemi qasje në to, kemi vështirësi të vlerësojmë vlerën dhe sasinë e mallit të futur ilegalisht, ka thënë Stavileci. Kontrabandën e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës
/Koha Ditore/