Konsumatorët mund të shfrytëzojnë arbitrazhin për zgjidhje të kontesteve
Prishtinë, 23 nëntor - Arbitrazhi dhe ndërmjetësimi mund të përdoren si metoda alternative për zgjidhjen e kontesteve edhe nga ana e konsumatorëve.
Kjo u tha sot gjatë një tryeze të organizuar nga Qendra e Arbitrazhit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë me ekspertë ligjorë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore.
Drejtori i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë, Njazi Shala, tha se në pajtim me Ligjin për Mbrjtjen e Konsumatorit, konsumatorët mund të referohen lehtazi në arbitrazh apo ndërmjetësim.
Megjithatë, ai përmendi se që kjo të mund të bëhet e plotfuqishme dhe e zbatueshme, nevojitet nxjerrja e një udhëzimi administrativ, i cili pritet të hartohet nga zyra që ai drejton në periudhën në vijim, duke kërkuar edhe ndihmën e Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane lidhur me këtë.
Në anën tjetër, avokati Sokol Elmazaj, që njëherit është edhe Kryetar i Këshillit Drejtues të Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane, konfirmoi poashtu se Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit nuk e ndalon arbitrazhin si metodë alternative të zgjidhjes së kontesteve, duke shtuar se Ligji në fjalë ndalon vetëm imponimin e klauzolave të arbitrazhit nga kompanitë ndaj konsumatorëve, që natyrisht do të ishte kusht i padrejtë në rregullimet kontraktuale.
Elmazaj theksoi që Qendra e Arbitrazhit e Odës Amerikanë ofron shërbime të arbitrazhit dhe ndërmjetësimit, qoftë në raste ndërmjet kompanive, apo kompanisë me konsumatorin.