Konfiskohen 36 vetura të pa-doganuara në rajonin e Prishtinës

Prishtinë, 5 qershor - Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Divizioni i Komunikacionit Rrugor, ka vazhduar me implementimin e Planit Operativ \"Veturat e pa-doganuara\".
Plani i filluar së zbatuari më herët nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Prishtinë, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës është duke vazhduar.
Plani ka qëllim identifikimin, ndalimin dhe largimin nga komunikacioni të veturave të cilat qarkullojnë të pa-doganuara.
Mjetet në fjalë sipas policisë nuk u nënshtrohen rregullave teknike dhe atyre procedurale, janë të pasiguruara dhe u shmangen të gjitha taksave të parapara ligjore.
Gjithashtu, këto mjete jo rrallë herë janë pjesëmarrëse në aksidente të trafikut rrugor, me çka rrezikohet siguria e pjesëmarrësve në trafik.
Gjatë realizimit të planit, në rajonin e Prishtinës, janë identifikuar dhe konfiskuar gjithsej 36 vetura të pa-doganuara të cilat janë hasur duke qarkulluar në trafikun rrugor.
Policia e Kosovës kërkon nga ngasësit e veturave të pa-doganuara që të mos dalin me vetura të tilla në trafik, pasi veturat e tilla do të ndalohen dhe sekuestrohen.