Komuniteti i biznesit nuk e përkrah ngritjen e çmimeve
Prishtinë, 22 gusht - Dy organizatat më të mëdha të komunitetit të biznesit në vend, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), nuk e përkrahin ngritjen e çmimeve nga disa kompani pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet ndaj Serbisë.
Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka kërkuar nga bizneset të mos e shfrytëzojnë reciprocitetin për ti rritur çmimet pasi nuk është punë reale. Deri më tani nuk kemi ndonjë statistikë që ka të bëjë me indeksin e çmimeve, të cilat mund të kenë ndryshuar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet ndaj Serbisë, ka thënë ai. Sipas tij, Oda Ekonomike e Kosovës çdoherë është afër bizneseve dhe po punon në mënyrë intensive edhe me institucionet e Kosovës që të ketë zhvillim dhe prosperitet të ekonomisë kosovare.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se nuk është mirë të bëhet një hap i tillë, i cili do ta dëmtonte drejtpërdrejti konsumatorin e Kosovës. Nuk duhet të shfrytëzohet çasti për ti rritur çmimet. Mund të kenë pasoja vetë ato kompani që marrin hapa të tillë, sepse do të ndëshkohen nga konsumatorët, ka thënë ai.
Shahini ka përmendur edhe hulumtimin që e ka bërë AKB lidhur me reciprocitetin. Sipas tij, është arritur në përfundim se çmimet mund të ngrihen deri në 1 për qind.
Pas reciprociteti edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka pas bërë thirrje bizneseve të mos e shfrytëzojnë situatën e krijuar për ti ngritur çmimet.
Sërish me inflacion të lartë
Sipas Entit të Statistikave të Kosovës, në korrik, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, indeksi i çmimeve të konsumit ishte 8, 3 për qind, që paraqet edhe nivelin e inflacionit. Mirëpo, krahasuar me qershorin e këtij viti çmimet kanë rënë 0,5 për qind. Krahasuar me vjet, ngritje më të madhe kishte çmimi i bukës dhe i drithërave - (41, 2 për qind), vajit dhe yndyrave - 40, 7 për qind, naftës dhe benzinës - 11, 2 për qind, sheqerit dhe ëmbëlsirave - 22, 8 për qind), qumështit, djathit dhe i vezëve -5, 2 për qind, veshja - 3, 4 për qind, rryma, gazi dhe lëndë djegëse - 3, 6 për qind, kafja dhe çaji - 15, 5 për qind, uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet -3, 3 për qind, pijet alkoolike -9, 8 për qind, duhani -2, 2 për qind, etj.
Për shkak të rritjes së prodhimit sezonal, gjatë këtij muaji ka rënë vetëm çmimi i perimeve - 4 për qind.
Krahasuar me qershorin e sivjetmë, në korrik lëvizja e çmimeve ishte më e ngadalshme. Buka dhe drithërat janë 4, 2 për qind, perimet -5, 8 për qind, pemët -2, 1 për qind, etj. )
Më shtrenjtë ishin rryma, gazi dhe lëndët djegëse -1, 9 për qind, sheqeri dhe ëmbëlsirat -(5, 2 për qind.
Në qershor inflacioni në Kosovë ishte 9, 2 për qind, kurse në mars, prill dhe në maj - mbi 10 për qind.