Kompanitë e derivateve nuk ulin çmimet, fitojnë miliona
Prishtinë, 21 nëntor - Derisa në shtetin fqinj Maqedoninë e Veriut nafta shitet për mbi 20 centë më lirë se në Kosovë dhe se në vendin tonë çmimet nu po bien sikur ndodh në tregjet ndërkombëtare, ku "Syri.net" ka raportuar ditë më parë për çmimet e larta dhe cilësinë jo të duhur, kanë pasuar edhe reagimet.
Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi shpalos të premtën të dhënat lidhur me hetimin e AKK-së për çmimin e derivateve të naftës në 14 kompani shitëse të tyre.
Shkaku i dyshimeve se tregtarët e naftës janë duke bërë shkelje të Ligjit të konkurrencës, duke mos ulur çmimin e naftës në tregun me pakicë, proporcionalisht me uljen e naftës që është bërë në tregjet ndërkombëtare, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte filluar hetimet ndaj tyre.
"Syri.net", sjell të gejturat nga Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës, e cila ka miratuar njoftimin e fakteve paraprake të konstatuara gjatë procedurës hetimore ndaj 14 kompanive dhe ka ardhur në këto përfundime.
"Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, konstaton se në bazë të fakteve të gjetura gjatë procedurës hetimore, ndërmarrjet që operojnë me shitjen me pakicë të naftës nuk kanë refektuar në mënyrë individuale për çmimin e shitjes dhe fitimit bruto për muajt nëntor dhe dhjetor të vitit 2018", tha kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi për "Syri.net".
Sipas tij AKK-së kjo do të thotë që kompanitë që janë në procedurë hetimore, dyshohet se kanë pasur fitim prej rreth 9 % gjatë muajve janar-tetor 2018, kurse fitimi në muajin nëntor ka qenë në mesatare prej 60%. Në dhjetor, fitimi mesatarisht ka qenë 124%.
Të njëjtat dyshime ekzistojnë edhe sa i përket shitjes me pakicë të benzinës.
Më konkretisht, derisa fitimi për periudhën janar-tetor 2018 ka qenë 12%, në nëntor ka qenë 108% kurse në dhjetor 135%.
Nga Autoriteti i Konkurrencës tregojnë se këto nuk janë të gjetura përfundimtare nga AKK-ja. Një vendim përfundimtar lidhur me këtë do të merret vetëm pasi që të përfundojnë afati për paraqitjen e komenteve nga të gjithë operatorët. Ky afat është një muaj.