Kompani nga Kosova marrinë në panairin e mobilierisë në Shkup
Prishtinë, 22 mars - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve (KIESA), ka mbështetur pjesëmarrjen e tri kompanive kosovare që merren me përpunimin e drurit dhe prodhimin e mobileve, në Panairin ndërkombëtar të 42-të të mobilieve, pajisjeve për amvisëri dhe objekteve publike, repro materialeve dhe makinave për industrinë e mobilieve MEBEL 2016, i cili po mbahet në Shkup të Maqedonisë.
Kompanitë kosovare: Daqa, Elnor, Ahikos, po ekspozojnë produktet e tyre si: mobilie, tryeza dhe produkte të tjera të këtij sektori për bizneset dhe klientët. Përmes këtij panairi këto kompani do të kenë mundësinë të shkëmbejnë eksperienca të reja, marrëveshje me kompanitë pjesëmarrëse me synim të krijimit të qasjes më të lehtë në tregjet rajonale.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë panair vjen si rezultat i bashkëpunimit dhe mbështetjes së përbashkët nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), me Shoqatën e Përpunuesve të Drurit të Kosovës (SHPDK) dhe USAID - Empower projekt.
Mebel 2016 ka një hapësirë prej 16 000 m2. Pos kompanive nga Kosova, aty po marrin pjesë edhe mbi 400 ekspozues ndërkombëtar që vijnë nga 20 shtete të ndryshme. Parashihet që këtë panair ta frekuentojnë mbi 60 000 vizitorë.
Panairi MEBEL 2016 do të jetë i hapur nga data 22 deri 27 mars 2016.