Klubi i Prodhuesve të Kosovës bënë thirrje për mos ngritje të çmimeve
Prishtinë, 23 nëntor - Klubi i Prodhueseve e ka përkrahur dhe mirëpritur vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për miratimin e vendimit të Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala që produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina të ju vihet taksë prej 100%.
Klubi i Prodhuesve e përkrah një vendim të tillë kur kihet parasysh pengesat e vazhdueshme që këto dy shtete i kanë bërë produkteve të Kosovës për depërtimin në tregjet e tyre, e që në masë të madhe ka dëmtuar prodhuesit e Kosovës duke i bërë jo-konkurrues.
Mirëpo, në të njëjtën kohë Klubi i Prodhuesve të Kosovës ju bënë thirrje të gjithë operatorëve ekonomik që të mos ndryshojnë çmimet e tregut, duke i rritur ato pas miratimit të vendimit për taksën 100% për produktet e Serbisë dhe Bosnjës.
Klubi i Prodhuesve fton të gjithë që të përkrahin interesat e vendit dhe të mbrojnë qytetarët, kur kemi parasysh gjendjen ekonomike të shumicës së qytetarëve.
Masën për mbrojtjen e prodhimit prej 100% të Qeverisë së Republikës së Kosovës të gjithë operatorët ekonomik duhet ta shohin si mundësi për zhvillimin dhe fuqizimin ekonomik të vendit dhe jo si situatë për përfitim.
Klubi i Prodhuesve të Kosovës beson që ky vendim do të mbrojë interesat e prodhimeve vendore dhe përbën një lehtësim për prodhuesit vendor.