'Kivo', 'BBF' dhe 'Anb-Baliu' bizneset me konkururese në Ferizaj

Në konferencë morën pjesë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ministri i Financave, Avdullah Hoti, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, drejtori i KIESA-s Besian Mustafa, përfaqësues nga ATK, Dogana e Kosovës, përfaqësues të institucioneve lokale si dhe përfaqësues të bizneseve nga rajoni i Ferizajt.
Bizneset në këtë konferencë u informuan hollësisht rreth shërbimeve që ofrojnë institucionet qeveritare sa i përket zhvillimit të ndërmarrësisë dhe krijimit të kushteve më të mira për të bërit biznes.
Në fjalën e tij, ministri Zharku, informoi të pranishmit lidhur projektet që po realizohen nga MI-ja në përmirësimin e Infrastrukturës në komunën e Ferizajt dhe në nivel të vendit, si shtyllë e zhvillimit ekonomik.
Po ashtu, ministri Zharku shpalosi vizionin e MI-së për të kontribuar në rritjen ekonomike përmes krijimit të një sistemi efikas të transportit, të një sistemi të integruar të transportit rrugor, hekurudhor dhe ajror, me çmim të ulët dhe të sigurt për mjedisin.
Kosova synon të bëhet një vend tranzit për trafikun nga Evropa Juglindore që lidh korridoret kryesore dhe drejtimet rrugore rajonale, theksoi ministri Zharku.
Investimi i madh në Infrastrukturë është konsideruar si një faktor kyç për zhvillimin e rrjetit të transportit, i cili do të menaxhohet në mënyrë efikase dhe në përputhje të plotë me normat dhe standardet ndërkombëtare.
Ministri Zharku ritheksoi përkushtimin e MI-së në realizimin e projekteve kapitale infrastrukturore përkundër sfidave dhe kufizimeve të shumta, siç janë: zgjerimi i rrugës nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë dhe N9 Prishtinë-Pejë dhe rrjeti i autostradave të Kosovës.
Ndërsa në komunën e Ferizajt, Ministria e Infrastrukturës do të realizojë këto projekte: asfaltimi i rrugëve, Babush-Tërrn-Luboc-Koshare-Slivovë, Mirash i Ri-Cërnillë, Prelez i Jerlive-Muhoc-Lloshkobare, unaza e jashtme e Ferizajt (Prelez i Jerlive, Kosine, Llojza Dremjak Nerodime), ndërtimi i nënkalimit për automjete (tek hekurudha) në fshatin Varosh, zgjerimi i rrugës Komogllavë-Terstenik-përmes lagjes Qarkosh (Ferizaj-Viti) si dhe asfaltimi i rrugës Greme Burrnik Gaqke (Ferizaj-Shtërpcë).
Kompetencë e MI-së janë gjithsejt 1,925.1 km rrugë, prej tyre 630.4 km rrugë nacionale dhe 1,294.7 km rrugë regjionale.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në fjalën e saj, foli për angazhimet e Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar dhe fuqizuar më tej sektorin privat në Kosovë. Ajo potencoi të arriturat e deritanishme dhe foli për hapat konkret që janë ndërmarrë për të institucionalizuar dialogun publiko-privat. Eliminimi i barrierave tregtare, politikat fiskale, formimi i grupeve punuese për çështje të biznesit, certifikimi i produkteve, janë disa nga aktivitetet e ndërmarra për përmirësimin e ambientit të bërit biznes në Kosovë, tha ministrja Bajrami.
Ajo ritheksoi se qëllimi i pjesëmarrjes në këto konferenca, të cilat janë duke u organizuar në të gjitha rajonet e Kosovës, është informimi dhe bashkëbisedimi me bizneset për ti dëgjuar sfidat me të cilat ballafaqohen ato.
Mes tjerash, ministrja Bajrami i informoi përfaqësuesit e bizneseve edhe për rëndësinë e Fondit për Garantimin e Kredive i cili është themeluar, e që do të lehtësojë qasjen në financa të bizneseve të vogla dhe të mesme duke u krijuar atyre mundësi që të konsolidohen dhe të shtojnë veprimtarinë e tyre afariste si dhe të rrisin numrin e të punësuarve.
Në fund të konferencës u shpallën edhe ndërmarrjet më konkurruese në rajonin e Ferizajt:
Top Ndërmarrja e Mesme më Konkurrente e vitit u shpall kompania KIVO"L.L.C;
Top Ndërmarrja e Vogël më Konkurrente e vitit u shpall B.B.F - COMPANY SH.P.K;
Top Mikrondërmarrja më Konkurrente e vitit u shpall ndërmarrja N.P.T. ANB-BALIU;
Pas konferencës ministrja Bajrami bashkë me delegacionin pjesëmarrës vizituan kompanitë: NTP Cadi Komerc, NPT Rolleo, ku u njohën për së afërmi me aktivitetin e tyre.