Kinë, rritet numri i investimeve të huaja në shkurt
Pekin, 20 mars - Zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë të Kinës Shen Danyang bëri të ditur të martën që në shkurtin e sivjetshëm përdorimi i kapitaleve të huaja në Kinë është rritur 6.32 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar njëkohësisht edhe rritjen e parë gjatë tetë muajve të fundit.
Shen u shpreh se kjo rritje provon deri në njëfarë mase aftësinë konkurruese të ekonomisë kineze dhe njohjen nga investitorët ndërkombëtarë të mjedisit dhe të së ardhmes së investimeve në Kinë.
Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë tha gjithashtu se ka tre arsye kryesore për rritjen e investimeve të huaja në Kinë muajin e kaluar: tërheqja e më shumë investimeve nga sektori i shërbimeve, rritja e shpejtë e investimeve nga BE-ja dhe ruajtja e prirjes pozitive në përdorimin e investimeve të huaja nga zonat e Kinës Qendrore.