Kinë, deficiti i tregtisë së jashtme arrinë nivel rekord
Pekin, 13 mars - Kambanat e rrezikut po bien edhe për Kinën, vendi me ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Në Kinë përveçse ka pësuar rënie rritja ekonomike, në nivele rekord ka arritur edhe deficiti i tregtisë së jashtme.
Deficiti i tregtisë së jashtme kineze në muajin shkurt kapi shifrën 31 miliardë e 500 milionë dollarë, duke thyer kështu një rekord në historinë e tregtisë së jashtme të këtij vendi.
Sipas të dhënave të muajit të kaluar, importi kinez shënoi një rritje me 39,6 për qind, ndërsa eksporti u rrit me 18,4 për qind.
Javën e kaluar Kina, për herë të parë që nga viti 2004 e këtej, tërhoqi nën 8 për qind parashikimin për rritjen ekonomike dhe e revizionoi atë të 2012-s në 7,5 për qind.
Republika Popullore e Kinës, një vend ky që ka si përparësi eksportin, po ndikohet ndjeshëm nga ecuria negative e ekonomisë globale. Një rol të madh në këtë po luan veçanërisht rritja e çmimeve të naftës.
Rritja e çmimeve të lëndëve bazë, për të cilat ka nevojë rritja ekonomike, dhe problemet me të cilat po përballen aktualisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, dy tregjet më të mëdha të Kinës, po i shkaktojnë shqetësime jo të vogla edhe ekonomisë së dytë më të madhe në botë.