Kina premton lëshime tregtare për SHBA-të
Pekin, 11 prill - Presidenti kinez Xi Jinping premtoi të ulë tarifat për makinat e importuara dhe të përmirësojë mbrojtjen e pronësisë intelektuale, lëshime këto që synojnë të ulin tensionet në marrëdhëniet tregtare me Uashingtonin.
Duke folur në një konferencë biznesi, zoti Xi nuk përmendi drejtpërdrejt homologun e tij amerikan, Donald Trump, ose mosmarrëveshjet tregtare.
Ai premtoi përparim në fushat që janë përparësi për SHBA, duke përfshirë hapjen e industrisë bankare të Kinës dhe shtimin e importeve.
Megjithatë, ai nuk përmendi disa nga çështjet kryesore që e irritojnë Uashingtonin, siç është kërkesa e Kinës që kompanitë e huaja të investojnë aty përmes ndërmarrjeve të përbashkëta, të cilat u kërkojnë të huajve t’ua japin teknologjitë e tyre firmave vendëse.
Presidenti Trump ka kërcënuar të rrisë tarifat për mallrat kineze në masën 50 miliardë dollarë. Pekini u kundërpërgjigj me një listë të tijën të importeve amerikane, që kapin edhe ato një vlerë prej 50 miliardë dollarësh.