Kina paralajmëron tarifa të reja mbi eksportet amerikane
Pekin, 4 gusht - Kina paralajmëroi se do të vendosë tarifa të reja prej 60 miliardë dollarësh ndaj mallrave amerikane, nëse administrata Trump vë në jetë kërcënimet e saj për tregtinë.
Ministria e Tregtisë njoftoi se janë propozuar tarifa nga 5 deri në 25 për qind ndaj më shumë se 5,200 mallrave amerikane duke e cilësuar këtë si një veprim të drejtë hakmarrës në luftën tregtare që po përshkallëzohet ndërmjet dy ekonomive më të mëdha në botë.
Paralajmërimi i Kinës erdhi menjëherë pasi sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo u takua të premten me këshilltarin shtetëror kinez dhe me ministrin e jashtëm Wang Yi në Singapor.
Të enjten, ministri i Jashtëm kinez u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara kishin nevojë të qetësoheshin dhe të merrnin në konsideratë konsumatorët e tyre, si përgjigje ndaj kërcënimeve të administratës Trump për të rritur tarifat e propozuara nga 10 përqind në fillim në 25 përqind ndaj mallrave kineze me vlerë 200 miliardë dollarë.
SHBA thotë se duan që Kina të ndalë vjedhjen e informacioneve sekrete të korporatave amerikane si dhe subvencionimin e kompanive kineze me kredi të lira, që u japin atyre një avantazh të padrejtë.