Kina ka tërhequr 120 miliardë dollarë investime të huaja në 2014
Pekin, 30 dhjetor - Gjatë vitit 2014 Kina parashikohet të ketë thithur investime të huaja me vlerë afro 120 miliardë dollarë amerikanë, duke ruajtur nivelin e qëndrueshëm në tërheqjen e këtyre investimeve, bëri të ditur drejtori i Investimeve të Huaja në Ministrinë e Tregtisë të Kinës Tang Wenhong.
Gjatë një interviste në kuadrin e Konferencës Kombëtare të Tregtisë, Tang tha se, nga perspektiva globale, Kina ka ende epërsi në sistemin ligjor, mjedisin e tregtisë, në shërbimet industriale dhe në nivelin e krahut të punës.
Zyrtari i Ministrisë së Tregtisë të Kinës bëri të ditur gjithashtu se, për të tërhequr investime të një niveli më të lartë, Kina po përmirëson në mënyrë të gjithanshme mjedisin e investimeve, duke krijuar një mjedis biznesi të drejtë dhe transparent.
\"Edhe vëllimi i investimeve kineze jashtë vendit ka ruajtur rritjen e shpejtë dhe pritet ta kalojë atë të investimeve të huaja në Kinë,\" shtoi Tang Wenhong, duke vënë në dukje se balancimi i tërheqjes së investimeve të huaja të nivelit të lartë dhe i investimeve kineze jashtë vendit në përmasë të mëdha, është në të mirë të ekuilibrimit të bilancit të pagesave ndërkombëtare të Kinës.