Kina inkurajon investimet jashtë vendit të firmave private
Pekin, 9 mars - Zevëndës ministri i Tregtisë i Kinës Jiang Zengwei tha më 7 mars se qeveria i nxit dhe i orienton ndërmarrjet të marrin pjesë aktivisht në konkurrencën ndërkombëtare dhe po harton rregulla konkrete për të ashtuquajturën "dalje jashtë vendit" të firmave private.
Jiang tha gjithashtu se sot shfrytëzimi i tregut të brendshëm dhe atij të jashtëm është një problem shumë i rëndësishëm. Investimet jashtë vendit vetëm të ndërmarrjeve shtetërore janë të pamjaftueshme.
Pavarësisht nga fuqia ekonomike apo faza e zhvillimit të tyre, edhe kompanitë private i përmbushin kushtet për të investuar në vende të tjera.
Para dy vjetëve Këshilli i Shtetit shpalli se i inkurajon dhe i orienton investimet private në fusha me përparësi, sidomos daljen e tyre jashtë vendit.