Kina dhe Islanda nënshkruan marrëveshje për tregtinë e lirë
Pekin, 16 prill - Kina dhe Islanda nënshkruan të hënën në Pekin marrëveshjen dypalëshe për tregtinë e lirë, duke publikuar deklaratën e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit. Nënshkrimi i marrëveshjes u bë me praninë e kryeministrit kinez Li Keqiang dhe kryeministres islandeze Johanna Sigurzardottir.
Gjatë bisedimeve, Li Keqiang deklaroi se marrëveshja për tregtinë e lirë mes dy vendeve është marrëveshja e parë e Kinës me vendet europiane.
"Në situatën e tanishme globale, tregtia e lirë është një rrugë e drejtë," theksoi Li Keqiang.
Nga ana e saj, kryeministrja islandeze u shpreh se Islanda i kushton shumë rëndësi bashkëpunimit tregtar me Kinën dhe shpreson në zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit konkret mes dy vendeve në fusha të ndryshme, si tregti, investime, energji gjeotermike dhe në mbrojtjen e mjedisit.
"Është kënaqësi për Islandën që të nënshkruajë një marrëveshje të tillë me Kinën, si e para që ajo firmos me një vend europian në këtë fushë. Besojmë se kjo do të promovojë jashtëzakonisht marrëdhëniet dypalëshe në një shkallë të re," tha Sigurzardottir.