Kërkuan para që AKP të mos ua merrte hotelin Grand
Prishtinë, 13 shtator - Behgjet Pacolli e Remzi Ejupi kanë denoncuar Ukë Rugovën, Astrit Haraqinë, Gazmend Abrashin e Naser Osmanin se u kanë kërkuar miliona euro në mënyrë që AKP-ja të mos ua merrte hotelin Grand në Prishtinë.
Sipas Koha Ditore oferta kishte nisur me katër milion euro dhe kishte përfunduar në një milion.
Të fundit e kishte bërë Naser Osmani. Kaq para do të duheshin, sipas denoncuesve, që hoteli Grand në Prishtinë të mos u merrej atyre nga Agjencia Kosovare e Privatizimit siç ndodhi më vonë.
Ata janë identifikuar nga Pacolli dhe Ejupi, si sekserë të Dino Asanajt.
Kanë përmendur edhe të venë e Dino Asanajt, Adelina Reçicën, si person kyç për të ndikuar te bashkëshorti i saj dhe si e pranishme në një takim në hotelin Swiss Diamond.
Në një rast Remzi Ejupi ka arritur që ta incizojë me telefonin e tij Blackberry pronarin e rrjetit të supermarketeve Maxi, Gazmend Abrashi, gjersa i kërkonte katër milion euro Behgjet Pacollit për ta rregulluar punën e hotelit.