Kërkohet thellimi i bashkëpunimit mes prodhuesve dhe tregtarëve me pakicë
Prishtinë, 27 maj - Qëndrueshmëria ekonomike e bazuar në fuqizimin e sektorit të prodhimit dhe zgjerimi i njëkohshëm i sektorit të shitjeve me pakicë është garantues për zhvillimin e vendit, andaj gjetja e formave për thellimin e bashkëpunimit në mes të sektorëve është jetike, u tha sot në takimin e organizuar nga MEPTINIS dhe Ministria e Financave dhe Transfereve, me Rrjetin e Shitësve me Pakicë dhe Klubin e Prodhuesve të Kosovës.
Ministrja në detyrë e MEPTINIS, znj. Hajdari potencoi se është e njohur me problematikat e të dy sektorëve ndërsa mbetet e angazhuar që përmes kornizave ligjore të mundësojë trajtimin e tyre.
Megjithatë, marrë për bazë nevojën e menjëhershme për rimëkëmbje ekonomike si rezultat i pandemisë, Hajdari potencoi nevojën e gjetjes së alternativave në mes të prodhuesve dhe shitësve me pakicë për mbështetje shtesë të sektorit të prodhimit.
Ndërkaq, Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Bislimi theksoi se përkundër potencialit të ekonomisë së Kosovës për zhvillim, subjektet ekonomike prodhuese mbetën pjesëmarrëse modeste në tregun e brendshëm andaj thellimi i bashkëpunimit me sektorin e shitjeve me pakicë duhet të shihet me interes dypalësh.
Në këtë drejtim, Bislimi theksoi se Ministria e Financave dhe Transfereve mbetet e hapur për trajtimin e çështjeve me interes për zhvillimin e të dy sektorëve.
Anëtarë nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe Rrjeti i Shitësve me Pakicë në vijim të takimit diskutuan mbi rëndësinë e funksionimit si tërësi të trekëndëshit: prodhues, shitje me pakicë dhe konsumator.
Gjatë takimit të dy palët u dakorduan që prodhimi vendor duhet të vazhdoj që të mbështetet, në mënyrë që të arrihet një standard më i lartë në prodhim, por edhe të shtyhen përpara prodhimet Made in Kosova, si brenda ashtu edhe jashtë tregut të vendit.
Por, padyshim që u theksua që edhe roli i Qeverisë është esencial në fuqizimin e rolit të prodhimit dhe lehtësimin e tregtisë.
Si përfundim, të gjitha palët u dakorduan që pavarësisht sfidave mbetet të punohet ngushtë mes të gjitha palëve relevante për të bashkëpunim të mëtutjeshëm duke pas në fokus konsumatorin, prodhuesit vendor si dhe shitësit me pakicë në mënyrë që të kemi stabilizim dhe qëndrueshmëri të vazhdueshme të zinxhirit ekonomik.