Kërkohet ndarja e produkteve në markete
Prishtinë, 16 shkurt - Produktet të cilat shiten nëpër marketet tona shpeshherë janë të përziera dhe konsumatori gjatë blerjes merr produkt me përbërje tjetër nga ajo çfarë kërkon. Mbrojtësit e të drejtova të konsumatorëve kërkojnë nga institucionet që të ndërmerren masa dhe të rriten kontrolle që gjatë blerjes konsumatorët mos të mashtrohen.
Konsumatorët gjatë blerjes sidomos të produkteve të qumështi, blejnë produkte që kanë yndyrë bimore, e jo yndyrë të qumështit.
Selatin Kaçaniku nga Organizata Konsumatori ka thënë se nuk është e drejtë as veprim etik e profesional i marketeve nëse qytetarin konsumatorë e kushtëzojnë, duke i përzier produktet gjatë shitjes. Realisht, këto veprime janë të dyshimta, ndaj qytetari konsumatorë duhet të alarmohet dhe të bëj kujdes. Ne e financojmë shtetin por për cilësinë e sigurinë e produkteve na mbetet të kujdesemi vet, theksoi ai.
Kaçaniku thotë se Qeveria edhe në pakon e re fiskale më shumë e promovon biznesin sesa konsumatorin. Sipas tij, edhe pse kontribuues kryesor në buxhetin e shtetit është konsumatori ai nuk përkrahet, madje duhet pasur kujdes të shtuar gjatë blerjes së produkteve. Qytetarin konsumator, vetëm kujdesi e vetëmbrojtja, tani për tani mund ti ndihmojë, ka thënë drejtuesi i Organizatës Konsumatori, Selatin Kaçaniku.
Edhe qumështarët thonë se janë duke u dëmtuar nga mos ndarja e produkteve të qumështit.
Në mënyrë që konsumatorët të mos bien në lajthitje, kjo ndarje duhet bërë në të gjitha pikat e shitjes në Republikën e Kosovës, gjithmonë duke pasur për bazë ligjin për mbrojtjen e konsumatorit dhe ligjin për ushqim, ka thënë Ramadan Memaj, kryetar i Shoqatës se Qumështarëve të Kosovës.
Sipas tij, duhet të rriten kontrollet nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe institucionet e tjera.
Produktet me përmbajtje te yndyrave bimore duhet rregulluar së pari me ligj në kuptim të kushteve dhe kritereve minimale higjienike sanitare, duke përfshire një numër të madh të kushteve duke filluar nga mënyra e prodhimit të lendes së parë që në rastin konkret është yndyra bimore. Ndarja e produkteve me origjinë bimore dhe shtazore është obligim ligjor i pa diskutueshëm sepse mos ndarja e tyre është mashtrim për konsumatorët të cilët mund të bien shumë lehtë pre e mashtrimit se po blejnë produkte nga qumështi e në fakt blejnë diçka tjetër. Kjo sigurisht se mund të ketë edhe dëme shëndetësore, thekso Memaj.
Ndërkaq në Ministrinë e Tregtisë (MTI), kanë thënë se klasifikimi i produkteve ushqimore është kompetencë e AUVK-së. Inspektorati i Tregut, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, është kompetent kryesisht për mbikëqyrjen e produkteve industriale jo ushqimore. Mbikëqyrja e produkteve ushqimore është kompetencë e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, është thënë në përgjigjet e Divizionit për Komunikim Publik në MTI.
Kurse në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, nuk kanë kthyer përgjigje rreth ndarjes së produkteve në rafte nëpër markete.