Kërkohen lehtësira për biznesin tregtar mes Kosovës e Maqedonisë
Shkup, 25 mars - U mbajt forumi i përbashkët i biznesit ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve dhe komunitetit të biznesit të Kosovës dhe Maqedonisë.
Në kuadër të vizitës zyrtare të delegacionit kosovar në Republikën e Maqedonisë, dje në hotelin Aleksander Palace u organizua edhe një forum biznesi i përbashkët, ku nga Republika e Kosovës pjesëmarrës ishin ministri i MBPZHR-së Blerand Stavileci dhe ministri i MZHE-së Besim Beçaj, kurse nikoqir nga Republika e Maqedonisë ishin ministri i ME-së Fatmir Besimi dhe ministri i MBPEU-së Ljupćo Dimovski.
Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se ka shumë hapësirë për përmirësimin e biznesit tregtar ndërmjet dy vendeve, në veçanti agrobiznesit, por thellimi i tanishëm i bashkëpunimit ndërshtetëror është shpresëdhënës për të ardhmen.
Duke pasur parasysh që ende mbetet shumë për të dëshiruar në përmirësimin e shumë dimensioneve ekonomike ndërmjet vendeve tona, si evitimi i procedurave burokratike për liçenca të eksportit, krijimi i lehtësirave për palët në biznes tregtar, problematika e çmimeve damping dhe bilancit tregtar shumë negativ, etj., bashkëpunimi ndërshtetëror mes nesh është duke u thelluar dhe është shpresëdhënës se në një të ardhme të afërt, do të kemi qarkullim më të madh dhe lëvizje më të lirë të kapitalit, dhe si ekonomi rajonale do të jemi më konkurruese në tregjet globale, tha ministri Stavileci.
Zhvillimi i bizneseve dhe agrobizneseve në vendet tona dhe ndërveprimi i shumë aktorëve, shtoi ministri Stavileci, ka përcaktuar si element thelbësor për zhvillim të hovshëm edhe përkushtimin për të arritur një partneritet të suksesshëm ndërmjet Qeverisë dhe bizneseve dhe kjo domosdoshmëri nuk vjen vetëm nga nevoja e institucioneve për ti pasur partnerë të saj bizneset, por edhe nga rritja e influencës së komunitetit të biznesit, si rezultat i pjekurisë me të cilën është duke i trajtuar vështirësitë e kohës karshi sfidave të ekonomive tona në zhvillim dhe konsolidim të vazhdueshëm, përfundoi ai.
Në kuadër të bashkëpunimit bilateral ndërmjet vendeve tona, pas përfundimit të forumit u mbajt edhe një takim ndërmjet ministrit Stavileci dhe homologut të tij maqedonas, ministrit të MBPEU-së Ljupćo Dimovski, ku u diskutua për intensifikimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Agrobizneseve që po vazhdojnë të bisedojnë poshtë mes veti për të gjetur interesin e tyre, ne duhet tua trasojmë rrugën dhe tju krijojmë hapësirë për bashkëpunim të ndërsjellë intensiv që u përshtatet dy vendeve tona fqinje dhe Memorandumi i Bashkëpunimit që nënshkruam dje është një dëshmi më shumë për përcaktimin dhe angazhimin tonë për ti përmbushur pritjet e agrobizneseve dhe organizatave evrpoiane e botërore për ti zgjeruar tregjet dhe për të prodhuar më shumë ushqim, tha ministri Dimovski.
Ai më tej se, do të punojë për të siguruar kushte institucionale për realizimin e suksesshëm të marrëveshjes së nënshkruar dhe se do ti shqyrtojmë së bashku të gjitha mundësitë dhe perspektivat për bashkëpunim në sektorin e bujqësisë dhe produkteve ushqimore.
Në këtë takim, përveç që u diskutua për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar, u diskutua edhe për pozicionin aktual të bujqësisë së dy vendeve tona, për shkëmbim/këmbimin e përvojave në ngritjen e kapaciteteve të strukturave organizative, për shkëmbimin tregtar ndërmjet dy vendeve dhe disbalancin e këmbimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore, me çrast ministri Stavileci theksoi nevojën për rritjen e këmbimit tregtar dhe për krijimin e hapësirës së nevojshme, që tregu maqedonas të jetë më aksesibel për prodhuesit kosovar.
Pastaj, u diskutua edhe për projektet ndërkufitare, për çështjen e doganave dhe për rëndësinë e depove për grumbullim dhe ruajtje të produkteve bujqësore, me theks të veçantë, për mundësitë që në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar të realizohet ndonjë projekt i përbashkët edhe në këtë segment mjaft të rëndësishëm të prodhimtarisë bujqësore, etj.