10 Janar 2025

Kastrati takon ambasadorin slloven

Prishtinë, 15 tetor  - Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati, priti ambasadorin slloven në Kosovë, Miljan Majhen, që ishte i shoqëruar edhe me përfaqësuesit e kompanisë sllovene “ETI  Elektroelement” d.d., Tomaz Bergins dhe Bernard Mlakar.

Fillimisht, u.d. i Ministrit Avni Kastrati i njoftoi mysafirët rreth fushës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, si dhe për mundësitë e të bërit biznes.

Gjithashtu, ata u informuan nga z. Kastrati se në Kosovë tashmë është krijuar klimë e favorshme për investime. “Klima e favorshme për investime, taksa të ulëta për biznes, potencial të fuqisë punëtore, treg liberal me mundësi të tregtimit të produkteve edhe në Evropë , si dhe pozita e mirë gjeografike dhe strategjike e Kosovës janë inkurajim për afaristët sllovenë dhe investitorë të tjerë për të investuar në Kosovë”, theksoi u.d. i ministrit, Avni Kastrati

Kastrati potencoi se institucionet e Kosovës, veçanërisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke u angazhuar në vazhdimësi për të krijuar mundësi dhe siguri të investimeve të jashtme, duke rregulluar tregun përmes konkurrencës së mirëfilltë, duke eliminuar dukuritë e falsifikimit dhe keqpërdorimit të produkteve.

Ambasadori slloven në Kosovë, Miljan Majhen,  bëri të ditur se institucionet e Sllovenisë dhe të Kosovës janë duke u angazhuar për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin në shumë fusha, e posaçërisht në fushën e investimeve reciproke në mes të dyja vendeve. “Tashmë kemi filluar thellimin e bashkëpunimin ekonomik duke iniciuar formimin e sektorëve të përbashkët në mes përfaqësuesve ekonomik në Kosovë dhe atyre në Slloveni për ta thelluar partneritetin ekonomik kosovaro-slloven” u shpreh ambasadori slloven Majhen, duke shtuar se bashkëpunimet do të thellohen edhe në fusha tjera me interes për të dyja vendet.

Ndërkaq, përfaqësuesit e kompanisë sllovene “ETI  Elektroelement” d.d. paraqitën shqetësimin e tyre rreth falsifikimit të produkteve të kompanisë së tyre nga Kina të siguresave mbrojtëse të rrymës, për të cilat thanë se mund t’i hasësh gjithkund  në tregun e Kosovës. Hyrja e këtyre produkteve të falsifikuar në tregun e Kosovës e dëmton fillimisht konsumatorin kosovar për arsye se paraqet rrezik potencial për shkak të mos efektitshmërisë në rast rreziku. “Siguresat mbrojtëse të rrymës të falsifikuara, përveç që janë rrezik potencial për njeriun, kanë ndikim edhe në dëmtimin e kompanisë, si në reputacionin e kompanisë ashtu edhe në dëmtimin e afarizmit të saj në Kosovë” theksoi presidenti i “ETI  Elektroelement”, Tomaz Bergins.

Për këtë gjë u.d. i ministrit Kastrati i siguroi mysafirët se do të ndërmerren masa nga Inspektorati i Tregut, që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, duke u koordinuar edhe me Doganën e Kosovës për të evituar çdo keqpërdorim dhe falsifikim të produkteve që mund të hyjnë dhe të tregtohen në Kosovë dhe që janë rrezik për konsumatorin kosovar.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është në mbështetje të përhershme të zhvillimit të afarizmit, duke lehtësuar procedurat për funksionim normal të bizneseve dhe krijim të kushteve sa më të favorshme për investime.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)