Kapitali rus provon ti afrohet tregut në Kosovë
Prishtinë, 14 prill - Ndryshimi eventual i pronarëve dhe futja e kapitalit rus në rafinerinë Okta, mund të ketë efekte në tregun e derivateve në Kosovë.
Në fillimin e këtij viti, kompania ruse Gazprom Neft pati shprehur interesimin që të fusë në pronësi rafinerinë Okta në Maqedoni dhe në Selanik, duke synuar që nëpërmjet saj të mbulojë në tërësi tregun derivateve të vendeve të rajonit. Kosova importon një sasi të konsiderueshme të naftës nga Okta.
Po ashtu, Gazprom që është kompania e pestë më e madhe e karburanteve në Rusi, ka nën pronësi rafineri të derivateve në Serbi dhe në Bosnjë.
Nëpërmjet shtrirjes së kapitalit të kësaj kompanie në rafinerinë Okta, sipas raportimit në mediet ndërkombëtare, po synohet që kapitali i biznesmenëve rus të shtrihet edhe në Kosovë dhe në pjesën tjetër të rajonit. Bazuar në të dhënat që japin naftëtarët, Kosova importon pjesën dërrmuese të derivateve të naftës nga Okta, rafineri kjo që është përfolur të kalojë në dorë të rusëve, shkruan Koha Ditore.
Llogaritet që sasia e naftës që vjen si e ripërpunuar nga kjo kompani kalon mbi 70 për qind të sasisë së përgjithshme të naftës. Por, kjo sasi ishte shumë herë më e lartë para se të lëshohej për qarkullim autostrada drejt Shqipërisë, Ibrahim Rugova
Nga Okta është furnizuar 90 për qind e tregut të derivateve Kosovës para ndërtimit të rrugës së kombit, ka thënë kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Nazmi Bytyçi.
Ai ka theksuar se nuk ka të dhëna të sakta pas shfrytëzimit të autostradës, meqë, sipas tij, një pjesë e naftës importohet nga Shqipëria. Por, naftëtarët janë kundër që tregu rajonal i derivateve të naftës të zotërohet nga kompani me kapital rus.