Kanadaja, e gatshme të nënshkruajë marrëveshjen e tregtisë së lirë me BE-në
Otava, 25 tetor - Një zyrtare kanadeze është shprehur se vendi i saj është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje historike të tregtisë së lirë me Bashkimin Evropian.
Ministrja e Tregtisë Ndërkombëtare Chrystia Freeland tha se i takon Europës të zgjidhë mosmarrëveshjet e brendshme dhe ta nënshkruajë marrëveshjen në kohë.
Ajo vuri në dukje se kryetari i Këshillit Europian Donald Tusk dhe kryetari i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker e kanë mirëpritur marrëveshjen.
\"Ata (Tusk dhe Juncker) kanë vënë në dukje se, në qoftë se Bashkimi Evropian nuk do të nënshkruajë një marrëveshje tregtare me Kanadanë, një marrëveshje tregtare e cila, me pranimin e vetë udhëheqësve europianë, të përfshijë të gjitha partitë kombëtare socialiste të Evropës; në qoftë se pra Europa nuk mundet të nënshkruajë këtë marrëveshje tregtare, që është marrëveshja më e mirë tregtare që Europa ka negociuar ndonjëherë, dhe që është gjithashtu një marrëveshje tregtare me Kanadanë, një vend që ka dhe ka pasur shumë vlera të përbashkëta me Europën, atëherë unë mendoj që kjo sigurisht vë në pikëpyetje politikën tregtare europiane në përgjithësi,\" u shpreh Chrystia Freeland.
Aktualisht rajoni i Valonisë në Belgjikë e kundërshton marrëveshjen dhe Belgjika nuk mund të nënshkruajë marrëveshjen pa miratimin e të gjitha rajoneve të saj. Si rrjedhim, BE-ja nuk mund ta nënshkruajë marrëveshje me Kanadanë pa konsensusin e të 28 vendeve anëtare të saj.
Megjithatë, kryetari i Parlamentit Europian Martin Schulz shprehet se është optimist se do të gjendet një zgjidhje:
\"Jo vetëm ka ende shpresë për CETA-n (Marrëveshja Gjithëpërfshirëse Ekonomike dhe Tregtare), por ne jemi në rrugën e gjetjes së një kompromisi dhe të një zgjidhjeje për çështjet e parashtruara nga valonët, të cilat janë çështje të ngritura nga shumë qytetarë në gjithë Europën. Dhe ne duhet të japim një përgjigje dhe pas gjithë takimeve të mia gjatë javës dhe sot, unë jam optimist se ne do të gjejmë një përgjigje.\"
Një samit i përbashkët për nënshkrimin e marrëveshjes planifikohet të zhvillohet të enjten.