Kamionët me mallra të Kosovës hyjnë në Serbi
Prishtinë, 25 gusht - Doganat e Republikës së Kosovës kanë bërë të ditur se në Serbi kanë kaluar kamionët e parë me dokumentacion të Kosovës.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci ka bërë të ditur se janë lejuar katër kamionët e parë për në Serbi.
"Ata e kanë kaluar kufirin dhe janë zhdoganuar, i kanë përfunduar të gjitha procedurat e zhdoganimit përmes piks kufitare Dheu i Bardhë, me dokumente të Kosovës dhe përmes pikës kufitare në anën e Serbisë, ka thënë Stavileci
Që nga 16 shtatori, kur me marrëveshjen e arritur në Bruksel, Kosova hoqi masën e reciprocitetit, në Kosovë kanë hyrë më shumë se 700 kamionë nga Serbia.
Ndërkaq, katër kamionët janë të parët që lejohen të hyjnë në Serbi, meqë edhe pas marrëveshjes për pranimin e vulave doganore, autoritetet serbe nuk lejuan hyrjen në Serbi të kamionëve me dokumentacione të Republikës së Kosovës.