Japonia e gatshme ta ndihmoj Kosovën në zhvillimin ekonomik
Prishtinë, 7 qershor - Gjatë ditës së dytë të vizitës zyrtare në Japoni, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i shoqëruar nga Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj takoi Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Yukio Edano.
Kryeministri Thaçi e njoftoi Ministri Edano për zhvillimet në Kosovë, për qëndrueshmërinë në sektorin bankar dhe në atë fiskal, si dhe për mundësitë e shumta që ofron Kosova në fushën e ekonomisë.
Kryeministri theksoi se tani është momenti i duhur për avancimin e raporteve tona ndërshtetërore, duke e përqendruar bashkëpunimin në aspektin ekonomik dhe atë tregtar.
Gjatë takimit, Kryeministri Hashim Thaçi kërkoi mbështetje nga Ministri Edano për organizimin e një forumi për investime në Japoni, apo për dërgimin e një misioni faktmbledhës për të hulumtuar mundësitë e shumta që ofron Kosova.
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Yukio Edano, pasi i ka dëshiruar mirëseardhje kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka falënderuar Qeverinë dhe popullin e Kosovës për ndihmën e ofruar në ditët e vështira pas goditjes nga tërmeti dhe cunami në Japoni.
Ne ju jemi mirënjohës. Unë personalisht i njoh angazhimet e qeverisë suaj dhe shprehjes së solidaritetit të popullit tuaj me popullin tonë në ditët e tragjedisë, duke ndezur qirinj, si dhe koncertin e Filharmonisë së Kosovës në shenjë respekti për viktimat tha Ministri Edano.
Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë ti ndihmojmë Kosovës në zhvillimin e saj ekonomik, duke promovuar Kosovën në kompanitë tona, si dhe vazhdimin e ndihmës për Kosovën nëpërmjet JICA-s, si dhe në mbështetjen e Qeverisë sonë nëpërmjet JETRO-s në organizimin e forumit ekonomik apo të çfarëdo nevoje, kërkese që shtron Kosova.
Kryeministri Thaçi dhe Ministri Edano u pajtuan që bashkëpunimi të thellohet dhe të kalohet në takimin e grupeve ndërqeveritare për të hartuar strategji bashkëpunimi.
Po sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar Kryetarin e Komisionit për Evropë në Federatën e Japoneze të Biznesit (KEIDAREN), Shinichi Yokoyama.
Kryeministri Thaçi e falënderoi Yokoyuama për pritjen e ngrohtë dhe mundësinë për tu takuar për të diskutuar rreth mundësisë së bashkëpunimit në sektorin e ekonomisë në mes të dy vendeve tona.
Gjatë takimit, Kryeministri e njoftoi z.Yokoyama për gjendjen e ekonomisë kosovare, për zhvillimin dhe për potencialin e madh që e ka Kosova në shumë sektorë, si në energji, miniera, bujqësi, turizëm, me klimën e mirë të investimeve.
Po ashtu, Kryeministri nëpërmjet Yokoyama ju bëri ftesë të gjitha kompanive japoneze të vijnë në Kosovë të hulumtojnë tregun dhe mundësitë e mëdha që ka Kosova në shumë fusha, si dhe ftoi Federatën e biznesit japonez që të vizitojnë Kosovën.
Kryetari i Komisionit për Evropë në Federatën e Japoneze të Biznesit (KEIDAREN), Shinichi Yokoyama e falënderoi Kryeministrin Thaçi për ftesën, si dhe premtoi që do ti informojë kompanitë japoneze për mundësitë që ofron Kosova në shumë fusha me interes.