Italianët interesohen për mundësitë e investimit në Mitrovicë
Mitrovicë, 25 tetor - Pronarë kompanish, biznesmenë dhe profesionistë të fushave të ndryshme nga Italia si dhe biznesmenë vendorë, kanë marrë pjesë të premten në konferencën Mitrovica, investitorët dhe bizneset që është mbajtur në qendrën e kulturës Rexhep Mitrovica.
Në këtë aktivitet që është organizuar nga Komuna e Mitrovicës dhe kompania italiane Land Project që është regjistruar në Mitrovicë para disa muajsh, fillimisht është prezantuar projekti Parku lumor, i cili ofron mundësi të mëdha për investime.
Për këtë projekt foli drejtori i Urbanizimit, Mehdi Bala, i cili theksoi se përveç tjerash ky projekt do të ndihmoj bashkimin dhe integrimin e qytetit të Mitrovicës.
Është një projekt që përfshin një sipërfaqe të madhe duke filluar nga ura e Ibrit dhe deri te Liqeni artificial që është duke u rregulluar. Në të dyja anët e lumit parashihen projekte të ndryshme rekreativo-sportive dhe hoteliere dhe të gjitha këto do të krijojnë një mjedis shumë të favorshëm për investime.
Ndërsa, drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Financa, Rrustem Abiti, prezantoi para të pranishmëve potencialet që ofron Mitrovica për investitorë. Ai theksoi se një prej segmenteve kryesore në qeverisjen lokale do të jetë krijimi i një klime të favorshme për bizneset.
Në këtë konferencë u prezantua edhe fizibiliteti për Zonën e Lirë Ekonomike që planifikohet të hapet në Mitrovicë, ndërsa në fund mysafirët vizituan Parkun e Bizneseve dhe hapësira të tjera të dedikuara për investitorë.