Italia gjobit Amazon me 1,1 miliardë euro
Romë, 10 dhjetor - Autoriteti Italian i Konkurrencës (AGCM) ka gjobitur sot “Amazon” me mbi një miliardë euro nën akuzën e abuzimit me pozicionin e saj dominues në treg, në Itali dhe shkeljes së ligjit të BE-së.
Duke vendosur gjobën prej më shumë se 1.1 miliardë euro (1.3 miliardë dollarë) ndaj gjigantit të teknologjisë, AGCM tha se, “Amazon” kishte abuzuar me pozicionin e saj si ndërmjetës për shërbimet logjistike në platformën e vet, duke dëmtuar kështu ofruesit dhe furnizuesit e tjerë të shërbimeve.
Sipas deklaratës së AGCM, çështja specifike në lojë ishte shërbimi ‘Fulfillment’ nga “Amazon” (FBA), ku kompania ofron të marrë përsipër logjistikën e transportit për shitësit.
Sipas AGCM, përdorimi i shërbimit u dha shitësve avantazhe diku tjetër në platformën e shitjeve, duke përfshirë shikueshmëri më të mirë të klientit dhe mundësinë e etiketimit të produkteve të tyre si pjesë e ‘Amazon Prime’, diçka që shihet si vendimtare për nxitjen e shitjeve në faqen italiane të ‘Amazon’.
Sipas autoritetit të konkurrencës, ‘Amazon’ aplikoi gjithashtu kontrolle të rrepta të cilësisë për shitësit që nuk përdornin shërbimin FBA, gjë që në disa raste çoi në bllokimin e llogarive. ‘Amazon’ kishte dëmtuar kompanitë konkurruese të logjistikës duke i detyruar në mënyrë efektive të përdornin shërbimin e tyre”, shtoi autoriteti.
Në të njëjtën kohë, platformat e tjera të shitjeve paten një ndikim negative kur shitësit u detyruan efektivisht të përdornin ‘Amazon’ për të siguruar shitjet.