Irani gati të ndalojë eksportin e naftës
Teheran, 8 shkurt - Parlamenti iranian njoftoi se është gati të ndërpresë eksportin e naftës për disa vende të Evropës.
Kurse në Izrael në kundërshtim me deklaratën e fundit që erdhi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, se zgjidhja diplomatike është ende e mundshme, flitet për mundësinë e luftës.
Irani deklaroi se naftën që nuk do të arrijë tia shesë dot vendeve perëndimore do tu shesë vendeve të tjera dhe është gati të ndërpresë eksportin e naftës.
Kurse Ministria e Punëve të Jashtme të Iranit deklaroi se janë gati për rifillimin e negociatave me grupin 5+1 për programin bërthamor dhe së shpejti do ti kthejnë përgjigje edhe letrës se Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Ketrin Eshtën (Catherine Ashton).
Kurse në Izrael dominon mendimi se në fund të verës së sivjetme Irani do të përfundojë armatimin nuklear dhe sanksionet nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se i fitojnë kohë Teheranit.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se kundër Iranit çdo alternativë qëndron gati mbi tryezë, ndërsa mësohet se i ka paralajmëruar anëtarët e kabinetit që të mos lëshojnë deklarata për mundësinë e një lufte me Iranin.
Ndërsa Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Avigdor Lieberman, i cili mbron idenë e sulmimit të Iranit, këtë javë do të jetë në Uashington për disa takime zyrtare. .
Pardje në dalje nga një konference, Lieberman la pa përgjigje pyetjet e gazetarëve. Në Uashington Lieberman do të takohet edhe me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës sanksionet kundër Iranit dje i zgjeruan edhe më shumë.
Sanksionet e reja u japin bankave amerikane të drejtën të ngrijnë llogaritë që identifikohen se kanë ndonjë lidhje të çfarëdoshme me qeverinë iraniane, ndërkohë që mbyllen edhe vakumet ligjore që e lejonin më parë Iranin të bënte transaksionet financiare në bankat perëndimore.
Kurse Teherani zyrtar tha se me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë asnjë marrëdhënie tregtare dhe financiare, duke i cilësuar sanksionet e reja si një pjesë të luftës psikologjike.