26 Dhjetor 2024

Investimet e huaja në Shqipëri vetëm 2.64 miliardë euro

Tiranë, 3 prill - Investimet e huaja në Shqipëri janë vetëm 2.64 miliardë euro dhe gjatë periudhës 2007-2010 janë rritur me vetëm 825 milionë euro, bëhet e ditur nga një raport i Bankës së Shqipërisë.

Të dhënat e publikuara për herë të parë më 30 mars, janë shumë të ndryshme nga pretendimet e qeverisë për miliarda dollarë investime të kryera në Shqipëri gjatë pak viteve të fundit.

“Në pesë vite të marra së bashku, nga viti 2006 gjer në vitin 2010, Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri ishin mbi 4 miliardë dollarë. Pra, vendi që në tetë vite së bashku mori rreth 300 milionë dollarë, merr në katër vite mbi 4 miliardë dollarë e konkretisht në vitin 2006 - 325 milionë dollarë, në vitin 2007- 656 milionë, në vitin 2008 - 988 milionë, në vitin 2009 - 979 milionë dhe në vitin 2010 – 1 miliardë e 97 milionë dollarë,” deklaroi Kryeministri Sali Berisha më 3 gusht 2011.

Por të dhënat e Bankës së Shqipërisë japin një panoramë shumë më pak optimiste. Sipas statistikave të publikuara në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë, i gjithë portofoli i Investimeve të Huaja Direkte në Shqipëri në vitin 2010 ishte 2.64 miliardë euro (më pak se 3.6 miliardë dollarë) dhe ky portofol investimesh ka qenë 1.8 miliardë euro në vitin 2007.

Në vitin 2010, Investimet e Huaja Direkte u rritën me 506 milionë euro (rreth 550 milionë dollarë) dhe jo me mbi 1.1 miliardë dollarë, siç pretendon Kryeministri. Në vitin 2009, IHD-të u rritën me vetëm 193 milionë euro, sipas BSH dhe jo me 979 milionë dollarë. Edhe në 2008-n, investimet e huaja u rritën me vetëm 125 milionë euro.
 
Investimet e Huaja Direkte janë kapitali aksioner i zotëruar nga të huajt në kompanitë që veprojnë në një vend të caktuar. Në Shqipëri nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë zyrë apo institucion që të ndiqte seriozisht flukset e investimeve të huaja të drejtpërdrejta e për rrjedhojë, të dhënat kanë qenë të rralla e kaotike.

Ndarja e investimeve të huaja, sipas vendit të origjinës apo sektorit ekonomik ku janë investuar, thjesht nuk kanë ekzistuar si të dhëna. Banka e Shqipërisë i publikoi këto të dhëna në dy tabela të ndryshme më 30 mars të këtij viti.

Seritë kohore të publikuara fillojnë në vitin 2007 dhe përfundojnë në vitin 2010. Investimet e Huaja Direkte pushojnë së qeni të tilla kur pronarët e tyre ia shesin vendësve, ose mbyllin aktivitetin duke tërhequr kapitalin e mbetur.
 
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, 27 për qind e Investimeve të Huaja Direkte ose 724 milionë euro kanë ardhur nga Greqia. Investimet nga ky vend u rritën me 53 milionë euro në vitin 2010, por janë ende më të ulëta se sa niveli maksimal i shënuar në vitin 2007 me 771 milionë euro të investuara.

Mbyllja e shumë fabrikave të industrisë së lehtë në qytetet e Korçës e Gjirokastrës, tërheqja e disa investimeve në industrinë e magazinimit e tregtisë së karburanteve etj., qenë shkaqet e rënies së IHD-ve nga Greqia gjatë viteve 2008 e 2009.

Në vend të dytë renditet Italia, me 401 milionë euro. Investimet italiane kanë qenë veçanërisht të rëndësishme në industrinë e lehtë, ku dhjetëra mijëra shqiptarë kanë gjetur vende pune.

Austria gjendet në vend të tretë, por është edhe vendi me rritjen më të shpejtë të investimeve në Shqipëri. Kompanitë austriake janë të interesuara për sektorin financiar, prodhimin e energjisë elektrike dhe industrinë minerare.

Kapitali kanadez rezulton se ka investuar 280 milionë euro në Shqipëri dhe pothuajse të gjitha këto para kanë vajtur për industrinë e naftës.

Turqia është gjithashtu një investitor i rëndësishëm me 279 milionë euro portofol. Kompanitë turke janë të pranishme në industrinë metalurgjike, telekomunikacion dhe banka.

Lista e Bankës së Shqipërisë për investimet e huaja numëron rreth 30 vende. Në listë rezultojnë vende si Spanja apo Rumania, nga ku kanë ardhur gjithsej vetëm 100 mijë euro investime, apo Mali i Zi me 200 mijë euro.

Qipro, shtet që funksionon si parajsë fiskale dhe që shpesh regjistrohet si vend origjinë për kapitalet që në fakt vijnë nga vende të tjera, rezulton se ka investuar 38 milionë euro në Shqipëri, ndërkohë që një vend tjetër i denoncuar si parajsë fiskale, Monako, rezulton se ka investuar 2.6 milionë euro në vendin tonë.

Jo pak i rëndësishëm rezulton kapitali me origjinë nga Libani, nga ku kanë ardhur 33 milionë euro, apo Emiratet e Bashkuara Arabe, nga ku kanë ardhur 16.5 milionë euro.
 
Shfrytëzimi i burimeve dhe shfrytëzimi i krahut të lirë të punës, janë dy arsyet kryesore të ardhjes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Shqipëri, sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Por edhe disa tregje që deri disa vite më parë rezultonin tepër të pazhvilluara si bankat, telekomunikacioni apo tregtia, kanë qenë nën vëmendjen e investitorëve të huaj.

Ndërmjetësimi monetar dhe financiar janë sektori ku kanë mbërritur më shumë investime të huaja, rreth 651 milionë euro dhe investimet në këtë sektor janë rritur ndjeshëm vit pas viti. Shumica dërrmuese e këtyre investimeve janë kapital i bankave, ndërkohë që kompanitë e sigurimit kanë tërhequr gjithsej vetëm 20 milionë euro investime të huaja.

Industria përpunuese është sektori i dytë i rëndësishëm me 417 milionë euro. Edhe këtu, investimet kanë ardhur vazhdimisht në rritje, me përjashtim të 2009-s, vitit të parë të krizës. Ky sektor ka leverdi veçanërisht në shfrytëzimin e krahut të lirë të punës të shqiptarëve. Investimet këtu kanë pësuar rënie të lehtë pas vitit 2008.

Transportet, magazinimi dhe komunikacioni kanë tërhequr 402 milionë euro, por investimet e huaja në këtë sektor kanë ardhur në rënie vitet e fundit, kryesisht si pasojë e maturimit të tregut të telekomunikacionit. Në vitin 2007, investimet e huaja në këtë sektor ishin 590 milionë euro.

Industria nxjerrëse ka tërhequr gjithnjë e më shumë interes, kryesisht për shkak të çmimeve shumë të larta të naftës e mineraleve të tjera gjatë viteve të fundit.

Në vitin 2007, BSH vlerësonte se investimet e huaja qenë vetëm 10 milionë euro, por u rritën në 331 milionë euro në 2010-n. Brenda këtij grupi, nxjerrja e mineraleve joenergjetike, pati tërhequr realisht vetëm 9 milionë euro investime në vitin 2007, shifër që u rrit në 58 milionë euro në vitin 2010.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)