Investimet e huaja dhe eksportet në Kosovë shënuan rënie
Prishtinë, 1 mars - Në përputhje me detyrat dhe objektivat e saja, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka bërë të ditur se ka publikuar versionin e ri të Vlerësimit Ekonomik Tremujor.
Ekonomia e Kosovës në vitin 2012 sipas raportit shënoi rritje, por norma e rritjes ishte më e ulët krahasuar me vitet paraprake.
"Rritja reale e PBB-së në vitin 2012 arriti normën prej 3.8 përqind, ndërsa bartës kryesor i rritjes ishte sektori publik nëpërmjet investimeve kapitale", thuhet në raport.
Sektori privat kontribuoi në rritjen ekonomike nëpërmjet rritjes së konsumit, ndërsa investimet private u karakterizuan me zhvillime të ngjashme me vitin paraprak, pozitive por me trend të ngadalsuar.
Ngadalësimi i rritjes si burim kryesor kishte zhvillimet e përgjithshme ekonomike globale. Kjo pasi që sipas raportit të BQK-së investimet e huaja direkte dhe eksportet shënuan rënie të theksuar gjatë vitit 2012, ndërsa importet gjithashtu u karakterizuan me ngadalësim të rritjes.
Sidoqoftë, rritja e investimeve publike dhe rritja e dërgesave të emigrantëve kishin kontribut pozitiv në aktivitetin ekonomik.
"Në anën tjetër, rritja e subvencioneve ndaj sektorit të bujqësisë, të cilat ndihmuan këtë sektor në përshpejtimin e ritmit të zhvillimit, ndikuan që ekonomia e Kosovës të vazhdojë të zgjerohet edhe gjatë vitit 2012. ", thuhet në raportin e BQK-së.
Edhe zhvillimet në nivelin e çmimeve sipas raportit u karakterizuar me normë të ulët inflacioni.
Tregu i bonove të thesarit i cili filloi të funksionojë gjatë vitit 2012 u karakterizua me zhvillime që reflektojnë se ekonomia e Kosovës ka pozicion të favorshëm fiskal, por me mungesë të kapaciteteve absorbuese për investimet në sektorin real.
Ngadalësimi i përgjithshëm i aktivitetit në ekonominë e Kosovës u reflektua edhe në sektorin financiar.
Në TM4 të vitit 2012 sektori financiar i Kosovës shënoi rezultate më të dobëta krahasuar me vitin paraprak.
Në fund të vitit 2012, asetet e sistemit bankar arritën në 2.8 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 6.8 përqind që paraqet rritje më të ulët krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar kur u regjistrua rritje prej 7.9 përqind.
Ndërmjetësimi financiar nga sistemi bankar vazhdoi trendin e ngadalsuar të rritjes reflektuar përmes kredive.
Edhe pse norma e rritjes së depozitave ishte më lartë se norma e rritjes së kredive, bankat u treguan më të kujdesshme në kreditimin e ekonomisë.
Në TM4 depozitat e sistemit bankar arritën në 2.27 miliardë euro duke shënuar rritje prej 3.8 përqind krahasuar me TM3.
Kreditë regjistruan rritje prej 0.2 përqind duke arrit në 1.76 miliardë euro që paraqet një rritje të lehtë krahasuar me TM3 kur rritja ishte negative.
Raporti vë në pah se gjatë vitit 2012, numri i bizneseve të reja të regjistruara është rritur për mbi 20 përqind duke arritur në 2261 biznese të reja, që paraqet numrin më të madh të bizneseve të reja të regjistruara në katër vitet e fundit.
Edhe mbyllja e bizneseve gjithashtu kishte normë relativisht të lartë të rritjes (16.7 përqind) në krahasim me vitin e kaluar me një numër prej 334 biznese të mbyllura.
Raporti ndërmjet bizneseve të mbyllura dhe atyre të reja gjatë vitit 2012 ishte 11.2 përqind, që paraqet normën më të ulët në katër vitet e fundit.
Bazuar në aktivitetin ekonomik që ndërmarrjet e kanë regjistruar, vërehet se kategoria dominuese vazhdon të jetë tregtia e cila ka një pjesëmarrje në ndërrmarrjet e reja prej 31.3 përqind, përkundër zvogëlimit të pjesmarrjes në krahasim me periudhat tjera.
Kjo sipas raportit të BQK-së vjen si rezultat i përshpejtimit të normës së rritjes për ndërmarrjet e sektorëve tjerë, sidomos rritja më e theksuar e ndërmarrjeve në sektorin e bujqësisë që arriti në 8.3 përqind nga 4.1 përqind sa ishte në vitin paraprak, pastaj industria përpunuese në 10.3 si dhe ndërtimtaria në 9.7 përqind.
Ndërrmarrjet e regjistruara për aktivitet me patundshmëri, transport dhe telekomunikacion dhe magazinim si dhe hoteleria dhe restoranet kishin një pjesmarrje relativisht të ngjashme me vitet paraprake.