Investimet aziatike në Turqi arrijnë në 1,49 miliardë dollarë
Ankara, 4 gusht - Hyrja e kapitalit të huaj nga vendet aziatike nëpërmjet investimeve të drejtpërdrejta në Turqi është rritur me 115% në 5 muajt e parë të vitit 2015, duke shkuar në 1,49 miliardë dollarë nga 488 milionë, që ishte në të njëjtën periudhë të 2014-s.
Në të njëjtën hark kohor, hyrja e kapitalit të huaj në Turqi nëpërmjet investimeve të drejtpërdrejta nga vendet e Bashkimit Evropian ka rënë me 47,5% për një total prej 1,524 miliardë dollarësh nga 2,905 miliardë një vit më parë.
Holanda ka rezultuar vendi evropian, që ka reduktuar më shumë investimet e drejtpërdrejta në Turqi. Ndërkohë që në periudhën janar-maj 2014 investimet e drejtpërdrejta holandeze në Turqi ishin 1,540 miliardë dollarë, gjatë 5 muajve të parë të këtij vitit investimet e drejtpërdrejta nga ky vend ishin vetëm 571 milionë dollarë.
Sakaq, gjatë periudhës janar-maj 2015 në Turqi janë themeluar gjithsej 1.797 firma me kapital ndërkombëtar, nga të cilat 938 me partnerë nga vendet e Lindjes së Afërt dhe Lindjes së Mesme, 436 me ortakë nga vendet e BE-së dhe 118 me partnerë nga vendet e tjera të Evropës.