Interesim i lartë për blerjen e Letrave me Vlerë të Kosovës
Prishtinë, 30 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës mbajti sot Ankandin e fundit për këtë vit të Letrave me Vlerë, në të cilin u ofertuan Obligacione Qeveritare 2-vjeçare në vlerë nominale prej 20 milion euro, me qëllim të përkrahjes buxhetore, ndërsa gjatë këtij ankandi u shfaqë kërkesë për blerje në vlerë 43.85 milion euro, por u pranua vetëm shuma e shpallur paraprakisht e cila është 20 milion Euro.
Norma e interesit për këtë ankand ishte 2.63% vjetore, gjë që paraqet një dallim prej -19 pikësh bazë krahasuar me normën e interesit të ankandit të fundit të Obligacioneve 2-vjeçare, e cila ishte 2.82%.
Ankandi i Letrave me Vlerë i mbajtur sot është edhe një tjetër vlerësim pozitiv që kanë institucionet financiare në vend për stabilitetin financiar të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur kështu interesimin e tyre të lartë dhe gatishmërinë për të blerë Letra me Vlerë të Qeverisë të Republikës së Kosovës.