Inflacioni në Shqipëri u rrit në 1,4 për qind në vitin 2019
Tiranë, 21 janar - Instituti i Statistikës te Republikës së Shqipërisë Instat ka bërë të ditur se, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit në fund të vitit të kaluar rezultoi 1.4%, ndërsa mesatarja në BE ishte 1.6%.
Sipas INSTAT, rritja e indeksit të harmonizuar të çmimeve, për dhjetorin dhe për gjithë vitin 2019 në përgjithësi, ka ardhur kryesisht nga grupi i ushqimeve. Për dhjetorin, ky grup kontribuuoi me 1.2 %.
Ecuria e indeksit të harmonizuar vitin e kaluar ka qenë në linjë me indeksin kombëtar të çmimeve të konsumit, që përfaqëson edhe normën zyrtare të inflacionit.
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit përfshin shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve, ndërsa indeksi i çmimeve të konsumit mbulon vetëm shpenzimet private të familjeve shqiptare të kryera brenda dhe jashtë vendit.