Inflacioni në Eurozonë ulet në 2,7 për qind
Prishtinë, 18 janar - Inflacioni është ngadalësuar më tepër nga sa parashikohej në dhjetor në zonën euro duke arritur në 2,7 për qind për një periudhë një vjeçare kundrejt 2,8 për qind sipas vlerësimeve të para, njoftoi sot zyra evropiane e statistikave, Eurostat.
Ai kishte arritur në 3 për qind në nëntor për të tretin muaj radhazi.
Rënia e konstatuar në dhjetor vjen kryesisht nga rënia e çmimit të energjisë gjatë një viti, pas një rritjeje në fund të vitit 2010 dhe në fillim të vitit 2011, theksoi Howard Archer, ekonomist në IHS Global Insight.
Në detaje, përbërësit kryesorë të inflacionit në dhjetor ishin strehimi me 4,9 për qind, transportet me 4,3 për qind dhe pijet alkoolike si dhe duhani me 3,8 për qind. Por, përqindjet vjetore më të ulëta u vërejtën në komunikacionet me -1,9 për qind dhe kulturë 0,6 për qind si dhe në arsim 0,9 për qind, shton Eurostat në një komunikatë.
Në zonën euro, përqindja vjetore e inflacionit më të ulët u vërejt në Maltë me 1,3 për qind dhe më e larta në Sllovaki me 4,6 për qind.
Në Gjermani, inflacioni ishte 2,3 për qind për një vit dhe në Francë 2,7 për qind. Për të gjithë BE-në, inflacioni arriti në 3 për qind në një periudhë një vjeçare, në dhjetor, kundrejt 3,4 për qind muajin e mëparshëm.
Inflacioni mbetet për të 13-in muaj radhazi mbi pragun e 2 për qindëshit të synuar në afat mesatar nga Banka Qendrore Evropiane, BQE, por rënia e konstatuar shkon në drejtimin e parashikuar nga shumica e ekonomistëve të cilët mendojnë se ai prite ttë bjerë në rreth 2 për qind në vitin 2012.
Ky argument bën të mundur justifikimin e uljes së përqindjeve të BQE-së e cila e uli atë në 1 për qind përballë krizës së borxhit.