Inditeks rriti fitimin për shkak të zgjerimit të veprimtarisë
Madrid, 18 qershor Zinxhiri më i madh i shitoreve për veshje në suaza botërore, Inditeksi spanjoll publikoi se fitimi i tij në tremujorin e parë fiskal është rritur duke iu falënderuar vazhdimit të zgjerimit të veprimtarisë në tërë botën.
Pronari i kompanisë Zare, bën të ditur se fitimi neto në periudhën prej shkurtit deri në fund të prillit është rritur për 10 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, në 332 milionë euro.
Në Inditeks bëjnë të ditur se në këtë tremujort kanë hapur 110 shitore në 29 vende të ndryshme, duke përfshirë në to edhe shitoren e parë të zinxhirit të hapur në Australi. Kështu, në fund të prillit kompania dispononte 5.154 shitore në tërë botën.
Me këtë rast theksohet se publicitet të madh u solli publikimi i fotografive nga kontesha e Kembrixhit, në fustan të Zares.
Inditeks po ashtu paralajmëroi zgjerim edhe në punën e internetit dhe në tregun e Amerikës së Veriut. Inditeks është një nga tregtitë më të llojllojshme me veshje, që i garanton stabilitet të madh. Këtë doemos duhet ta vendosni në kontekst të fakteve se tregu i tij amë, ai spanjoll, është shumë i dobët, komentoi Majk Denis nga MF Global, kompani e cila merret me këshilla afariste.
Analistët theksojnë se kompanisë i shkonte për shtati edhe ajo që prodhon më shumë veshje në Spanjë dhe rajonin e Afrikës së veriut sesa konkurrenca, që do të thotë se nuk i është ekspozuar rritjes së shpenzimeve të punës në Azi.
Për shkak të rritjes së pagave në Azi kompanitë mendojnë për shpërngulje të prodhimtarisë në reparte me shpenzime të njëjta gjegjësisht më të vogla të punës në Kinën qendrore apo në tregje tjera, ndërsa kjo nënkupton edhe shpenzime, shton Denisi.