24 Dhjetor 2024

Indeksi i shitjeve me pakicë në Shqipëri pësoi rënie

Tiranë, 26 nëntor - Indeksi i shitjeve me pakicë në Shqipëri pësoi rënie të pazakontë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, duke dëshmuar tkurrje konsumi dhe rritje pasigurie.

Rënia e konsumit ishte shfaqur në ankesat e tregtarëve dhe në të ardhurat e buxhetit të shtetit, por u konfirmua së fundmi edhe nga Instituti i Statistikave.

Indeksi i shitjeve me pakicë shënoi vlerën 169.4 për qind përkundrejt periudhës bazë që është viti 2005, ndërsa në qershor 2010, indeksi qe 181 për qind.

Kjo do të thotë se në krahasim me vitin 2005, shitjet me pakicë në Shqipëri janë rritur gradualisht deri në gusht të vitit 2010, kur indeksi shënoi vlerën 195, që përfaqëson një rritje me 95 për qind kundrejt vitit bazë, por u ulën pas kësaj në kuotat aktuale.

Rënia e konsumit filloi në muajin shkurt, ndërsa pasiguria politike në vend rritej në pritje të zgjedhjeve për pushtetin vendor.

“Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është ulur 6.9 për qind, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës është rritur 1.9 për qind”, njoftoi INSTAT.

Disa ekonomistë besojnë se pasiguria në jetën e shqiptarëve si pasojë e ngjarjeve të 21 janarit dhe zgjedhjeve vendore të majit, u rrit aq shumë sa konsumatorët vendosën të kursejnë dhe të mos jetojnë normalisht. Banka e Shqipërisë vlerësoi pak më vonë se rënia e konsumit ishte në përmasa shqetësuese.

Jo të gjitha llojet e aktiviteteve tregtare vuajtën nga rënia e konsumit. Në tremujorin e parë, rënia e shitjeve i preku pothuajse njësoj të gjithë sektorët, nga ushqimet tek dyqanet e specializuara, te produktet farmaceutike, shitja dhe mirëmbajtja e makinave apo pajisjet shtëpiake, ku u shënua edhe rënia më e madhe.

Në tremujorin e dytë, shqiptarët i janë rikthyer disi normalitetit, por disa mallra që konsiderohen të luksit, vijuan të shiten shumë më pak.

Shitjet në dyqanet ushqimore të specializuara u rritën me 7.2 për qind në terma vjetorë, produktet farmaceutike e mjekësore u rritën me 13 për qind dhe mirëmbajtja e makinave me 16 për qind.

Shqiptarët kanë shpenzuar 21 për qind më pak këtë vit për pajisje shtëpiake, ku përfshihen mobiliet dhe elektroshtëpiaket, si dhe për libra, gazeta apo artikuj shkollorë.

Shitjet e elektroshtëpiakeve kanë rënë me 21 për qind në terma vjetorë, ndërsa shitja e librave e gazetave ka rënë me 17 për qind. Edhe shpenzimet për mirëmbajtjen e makinave apo shitja me kapicë e karburantit, shënuan rritje të konsiderueshme.

Rënia e shitjeve mësohet se ka prekur edhe punësimin në sektorin e tregtisë me pakicë.

“Indeksi i punësimit në ‘Tregtinë me pakicë’, në tremujorin e dytë të këtij viti, arriti 170.1 për qind kundrejt vitit bazë (2005=100). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ky indeks është ulur 1.1 për qind.

Në grupin “Tregtia dhe riparimi i automjeteve” indeksi i punësimit në tremujorin e dytë të këtij viti arriti 189.3 për qind kundrejt vitit bazë (2005=100) me rritje 3.3 për qind, kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar”, – thotë INSTAT.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)