Indeksi i çmimeve të konsumit pëson ngritje për 0.2 për qind
Prishtinë, 12 tetor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin shtator të vitit 2016.
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit prej muajit janar 2016 publikohet me vitin bazë 2015=100.
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.2% në muajin shtator 2016, krahasuar me muajin gusht 2016.
Ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: qumështi, djathi dhe vezët (1.2%); perimet (5.5%); rryma, gazi dhe lëndët djegëse të tjera (1.0%)-(ngritje e çmimit të drunjve për ngrohje) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4% në IHÇK.
Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-4.1%) dhe shërbime për transport (-3.5%)-(rënja e çmimit të biletave me aeroplan), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.2%) në IHÇK.
Shkalla e inflacionit e matur në muajin shtator 2016 me muajin shtator 2015 ishte 0.6%.
Indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.6% në muajin shtator 2016, krahasuar me muajin shtator 2015. Në këtë periudhë vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it.
Ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet: mish (1.0%); qumësht, djath dhe vezë (2.6%); sheqer dhe ëmbëlsira (8.1%); pije alkoolike (2.7%); duhan (5.1%); veshje (2.8%); shërbime për transport (11.8%)-(ngritja e çmimit të biletave me aeroplan), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.1% në IHÇK.
Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (-2.8%); pemë (-7.7%); perime (-3.3%); përdorimi i pajisjeve për transportin personal (-1.8%)-(rënie e çmimit të naftës dhe benzinës), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.5%) në IHÇK.