Indeksi i çmimeve të konsumit në Kosovë mbetet i pandryshuar
Prishtinë, 15 prill - Agjencia e Statistikave të Kosovë, Departamenti i Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare, publikoi sot Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK) për muajin mars 2013.
Indeksi i tërësishëm i Çmimeve të Konsumit në Kosovë është i pandryshuar 0.0 % në muajin mars 2013, krahasuar me muajin shkurt 2013. Shkalla e inflacionit, e matur në muajin mars 2013, me muajin mars 2012, ishte 2.6%.
Përkundër mosndryshimit të Indeksit të tërësishëm të Çmimeve të Konsumit në muajin mars 2013 krahasuar me muajin shkurt 2013, vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet.
Ngritja e çmimeve vërehet te nëngrupet e furnizimit me ujë dhe shërbimet e ndryshme, që kanë të bëjnë me vendbanimin, orenditë, aparaturat, qilimat dhe shtrojat e tjera për dysheme; shërbimet bankare me një përqindje të përbashkët (24.3%) me një ndikim të përbashkët prej 0.2% në IÇK.
Ngritja është neutralizuar, kryesisht nga rënia e çmimeve te disa nëngrupe, si: buka dhe drithërat, qumështi, djathi, vezët, vajrat dhe yndyrat, sheqeri dhe ëmbëlsirat, si dhe gjërat personale me një përqindje të përbashkët (-6.6%), me një ndikim të përbashkët prej -0.2%në IÇK.
Çmimet e konsumit në Kosovë janë ngritur për 2.6% në muajin mars 2013, krahasuar me muajin mars 2012. Ngritje çmimesh vërehen te nëngrupet: perimet (11.6%), duhani (9.8%), mishi (3.5%), librat dhe materialet për zyra (19.0%) - (ngritje e çmimit të gazetave), buka dhe drithërat (3.0%), vajrat dhe yndyrat (12.8%), shërbimet bankare (22.5%), pemët (3.0%), veshja (1.8%), këpucët (4.6%), energjia elektrike (8.9%), orenditë dhe aparaturat, qilimat dhe shtrojat etjera për dysheme (4.5%), shërbimet hoteliere (2.3%), me një ndikim të përbashkët prej 3.0 % në IÇK.
Ngritja është neutralizuar kryesisht nga rënia e çmimeve te nëngrupet: përdorimi i pajisjeve për transportin personal (-2.2%)-(benzina dhe nafta), qumështi, djathi dhe vezët (-2.1%), sheqeri dhe ëmbëlsirat (-3.8%), me një ndikim të përbashkët prej -0.4 % në IÇK.