Indeksi i çmimeve të konsumit më i lartë për 0.1 për qind
Prishtinë, 11 dhjetor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin nëntor të vitit 2017 sipas te cilit indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend është më i lartë për 0.1 për qind në muajin nëntor 2017, krahasuar me muajin tetor 2017.
Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: perime (2.0 për qind); rrymë, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (0.7 për qind)-(ngritje e çmimit të drunjve për ngrohje për 4.4 për qind), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.2 për qind në IHÇK.
Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupi i pemëve për
(-4.0 për qind) me një ndikim prej 0.1 për qind në IHÇK.
Shkalla e inflacionit e matur në muajin nëntor 2017 me muajin nëntor 2016 ishte 0.9 për qind.
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.9 për qind në muajin nëntor 2017, krahasuar me muajin nëntor 2016.
Kjo kryesisht është shpjeguar me disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it.
Ngritje e çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet: bukë dhe drithëra (2.9 për qind); mish (0.5 për qind); qumësht, djath dhe vezë (1.2 për qind); vajëra dhe yndyra (3.6 për qind); pemë (12.8 për qind); kafe, çaj dhe kakao (8.4 për qind); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (1.2 për qind); duhan (6.0 për qind); përdorim i pajisjeve për transportin personal (2.4 për qind)-(ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.3 për qind në IHÇK.
Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve te nëngrupet: rrymë, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (-3.0 për qind)-(rënie e çmimit të energjisë elektrike në muajin nëntor 2017 për (-10.6 për qind), krahasuar me tarifat dimërore të muajit nëntor të vitit 2016); blerja e automjeteve (-1.6 për qind); pajisjet telefonike dhe të telefaksit (-8.8 për qind); pajisjet audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave (-6.5 për qind); me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.4 për qind) në IHÇK.
Shpjegim për shfrytëzuesit e të dhënave
Zbatimi i tarifave të reja me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë nga 1 prilli i vitit 2017 të aprovuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji të Republikës së Kosovës, të datës 31 mars 2017, është shkaku i ndryshimit të çmimit të energjisë elektrike në çdo muaj, të kalkulur nga Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KES/CO).