Indeksi i çmimeve të konsumit më i lartë në një mesatare prej 0.3 për qind
Prishtinë, 11 maj - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin prill 2021.
Inflacioni mujor, i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit, ishte 0.3% në muajin prill 2021.
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0.3% në muajin prill 2021, krahasuar me muajin mars 2021.
Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: vajra dhe yndyra ushqimore (9.3%); pemë (3.5%); perime (5.6%); pije alkoolike (1.3%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (0.5%); me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4 për qind në IHÇK.
Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djathë dhe vezë (-2.0%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj.(-1.8%); me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.1 për qind) në IHÇK.
Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin prill 2021 me muajin prill 2020 ishte 1.9%.
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1.9 për qind në muajin prill 2021, krahasuar me muajin prill 2020.
Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (2.3%); vajra dhe yndyra ushqimore (20.5%); perime (0.7%); pije alkoolike (2.8%); duhan (4.5%); gaz (4.6%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (2.7%); pajisje shtëpiake (2.5%); produkte farmaceutike (1.9%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (19.9%); shërbime për transport (2.9%) “ngritje e çmimeve të biletave të transportit ajror”, shërbime telefonike dhe të telefaksit (20.3%); pajisjet audio-vizuale, fotografike për përpunimin e informatave (3.1%); shërbime hoteliere (1.0%); kujdes personal (1.3%); shërbime financiare (4.2%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2.6 për qind në IHÇK.
Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djathë dhe vezë (-1.3%); pemë (-15.4%); energjia elektrike (-10.8%) - zbritja e çmimit të energjisë elektrike ka ardhur nga zbatimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, Covid -19, Nr. 07/L-016, neni 15, për periudhën janar - maj 2021, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.7 për qind) në IHÇK.