Indeksi i çmimeve më i lartë për 0.1 për qind në muajin gusht
Prishtinë, 14 shtator - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin gusht 2015.
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në Kosovë është më i lartë për 0.1% në muajin gusht 2015 krahasuar me muajin korrik 2015.
Ngritja e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit vërehet te nëngrupet: qumësht, djath dhe vezë (1.3%); vajëra dhe yndyra (2.2%); duhani (4.5%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4 për qind në IHÇK.
Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit te nëngrupet: perime (-4.6%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (-1.6%); rënie e çmimeve të benzinës dhe naftës për (-2.0%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0.3 për qind në IHÇK.
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit pësoi rënie për 0.7% në muajin gusht 2015 krahasuar me muajin gusht 2014. Rënie e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në këtë periudhë është vërejtur te nëngrupet: qumësht, djath dhe vezë (-3.5%); perime
(-4.2%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (-11.2%); rënie e çmimeve të benzinës dhe naftës për (-12.5%); arsim i lartë (-28.1%); shërbime dhe strehim i studentëve (-15.7%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -1.9 për qind në IHÇK.
Rënia u neutralizua, kryesisht nga ngritja e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit te nëngrupet: bukë dhe drithëra (1.7%); mish (1.8%); vajëra dhe yndyra (6.6%); pemë (7.5%); pije alkoolike (9.0%); duhan (9.5%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (5.1%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.2 për qind në IHÇK.
Shkalla e inflacionit e matur në muajin gusht 2015 me muajin gusht 2014 ishte - 0.7%.