Indeksi i çmimeve është më i lartë për 0.1 për qind
Prishtinë, 14 prill - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin mars 2015.
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në Kosovë është më i lartë për 0.1% në muajin mars 2015 krahasuar me muajin shkurt 2015.
Ngritje e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit vërehet te nëngrupet: pemë (3.0%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (naftë dhe benzinë) për (2.4%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.3% në IHÇK.
Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit te nëngrupi: qumësht, djath dhe vezë për (-2.0%) me një ndikim prej (-0.2) për qind në IHÇK.
Shkalla e inflacionit e matur në muajin mars 2015 me muajin mars 2014 ishte (-0.4%).
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit pësoi rënie për (-0.4%) në muajin mars 2015 krahasuar me muajin mars 2014. Rënie e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, në këtë periudhë, është vërejtur te nëngrupet: qumësht, djath dhe vezë (-2.6%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (naftë dhe benzinë) për (-12.8%); arsim i lartë (-28.1%); shërbime dhe strehim i studentëve (-15.8%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.9%) në IHÇK.
Rënia kryesisht u neutralizua me ngritjen e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit te nëngrupet: bukë dhe drithëra (1.4%); mish (0.8%); pemë (7.2%); perime (12.1%); duhan (3.1%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera për (7.2%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.5% në IHÇK.