Importet nga Serbia shënuan një rënie prej 160 milionë euro
Prishtinë, 12 maj - Sot, Instituti GAP organizoi konferencë për media ku publikoi raportin “Taksa 100%: a po e ndihmon apo dëmton ekonominë e Kosovës?”.
Ky raport prezanton një vlerësim të efekteve të taksës në prodhimet vendore, çmimet e ushqimit dhe tregtinë me vendet tjera.
Të gjeturat e raportit tregojnë se brenda pesë muajve që nga vendosja e taksës 100%, importet nga Serbia shënuan një rënie prej 88% apo 160 milionë euro, kurse importet nga Bosnja dhe Hercegovina u zvogëluan për 83% apo 24 milionë.
Përfituesit më të mëdhenj gjatë kësaj periudhe ishin Sllovenia, Izraeli dhe Turqia të cilat patën ngritje të madhe të eksportit në Kosovë.
Përkundër rënies së importit nga Serbia dhe Bosnja, deficiti tregtar i Kosovës është rritur. Kjo nënkupton se prodhuesit vendorë nuk kanë arritur t’i shfrytëzojnë mundësitë e taksës siç është menduar.
Të dhënat nuk tregojnë për ndonjë rritje të përshpejtuar të industrisë përpunuese në Kosovë, qoftë sa i përket vëllimit të prodhimit apo gjenerimit të vendeve të reja të punës.
Në anën tjetër, taksa 100% duket të ketë ndikuar në përshpejtimin e rritjes së çmimeve të konsumit në ushqim të cilat përbëjnë shpenzimin kryesor të shportës së konsumatorëve kosovarë.
Ndër arsyet që mund të kenë ndikuar në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore janë: ulja e konkurrencës në produkte të caktuara, rritja e kostos së lëndës së parë për bizneset vendore dhe rritja e kostos së transportit dhe çmimeve të produkteve të importuara.
Në mungesë të produkteve zëvendësuese, për disa prodhime kosovare janë rritur çmimet me hyrjen në fuqi të taksës 100%. Duke marrë parasysh këtë, mbajtja e kësaj takse për një kohë më të gjatë mund të ketë efekte në rritjen e varfërisë.
Duke qenë se Kosova dhe Serbia janë nënshkruese të Marrëveshjes për tregti të lirë për Evropën Qendrore (CEFTA) dhe kanë detyrime që t’i anulojnë tarifat tregtare, dhe duke pasur parasysh se zotimi për zbatimin e CEFTA-s është futur edhe në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të nënshkruar në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, Instituti GAP rekomandon si mundësi më të mirë për Kosovën rinegocimin e CEFTA-s së bashku me vendet tjera anëtare.