ICK, shtëpia e inovatorëve kosovarë
Prishtinë, 28 qershor - Zhvillimi i ideve të reja të biznesit nga inovatorët kosovarë tashmë mund të bëhet më lehtë përmes qasjes në zyret e Innovation Centre Kosovo (ICK) që u inaugurua solemnisht të enjten në praninë e drejtuesve të Qeverisë së Kosovës, diplomatëve nga Norvegjia dhe donatorëve të huaj që në Kosovë i mbështesin bizneset e sapo nisura, bizneset e vogla dhe ato të mesme.
Hapja e Innovation Centre Kosovo është një hap i rëndësishëm në ngritjen e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë që çdo vit hyjnë në tregun vendor të punës.
Ceremonia inauguruese e Innovation Centre Kosovo filloi me fjalët Astrid Green – kryetares së bordit të ICK-së. Zonja Green tha se ICK-ja tashmë ka lënë shenjë në tregun kosovar të punës duke kontribuar në krijimin e punëve përmes trajnimeve dhe punëtorive praktike.
“Në inkubator aktualisht i kemi 11 ekipe me 33 anëtarë, 7 ekipe janë përzgjedhur përmes ftesës së parë publike për aplikim me ide biznesi kurse 4 ekipe janë përzgjedhur si fitues të dy edicioneve të Startup Weekend Prishtina të organizuara në dhjetor 2011 dhe maj 2012”, tha zonja Green duke shtuar se ekipi i dymbëdhjetë i është bashkangjitur ICK-së të mërkurën një ditë para hapjes së Innovation Centre Kosovo.
“Njerëzit kanë nevojë për resurse që i ofron qendra në mënyrë që ti bëjnë realitet idetë e tyre të biznesit dhe që përmes këtij procesi të krijojnë vende të reja pune”, tha Green duke falenderuar Ministrinë norvegjeze të Punëve të Jashtme për financimin e ICK-së. Ajo poashtu falënderoi Shoqatën për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK) bashkë themeluese e ICK-së dhe Crimson Capital partnerin kryesor bashkëpunues për ndihmën e dhënë në themelimin e qendrës.
Hashim Thaçi kryeministër i Kosovës i pranishëm në inaugurimin e ICK-së tha se kjo qendër inovative ka për qëllim të përkrah ndërmarrësinë, inovacionet dhe zhvillimin e bizneseve përmes teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
“Inovacioni nënkupton përfshirjen e koncepteve dhe ideve të reja me qëllim të përmirësimit të proceseve dhe produkteve. Si i tillë inovacioni është pjesë e kapitalit njerëzor dhe një ndër parakushtet themelore për zhvillimin ekonomik të një vendi”, tha kryeministri Thaçi . Ai mes tjerash sqaroi se një qeveri mund të ngrisë gjendjen materiale të qytetarëve vetëm nëse angazhohet edhe në përmirësimin e gjendjes së arsimit, përkrahjen e inovacioneve dhe ndërlidhjen e tyre me tregun e punës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës në kuadër të platformës së zhvillimit ekonomik e konsideron zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe sektorit privat si dy prioritete strategjike kësaj. Prandaj themelimi i Qendrës Inovative të Kosovës është në përputhje me prioritete e Qeverisë dhe do ta ketë përkrahjen e plotë”, tha kreu i ekzektuvit kosovar.
Sipas Kryeministrit Thaçi ICK-ja duke ofruar shërbime të monitorimit, këshillimit dhe trajnimit në fushën e ndërmarrësisë dhe të menaxhimit, do të ndihmojë ndërmarrësit e rinj në zhvillimin e aftësive afariste që kërkohen në sektorin privat.
“Në këtë mënyrë Qendra Inovative e Kosovës do të ndihmojë në përshtatjen e shkathtësive afariste dhe të tregut të punës. Po ashtu, do të ndihmojë në zhvillimin e produkteve, proceseve të reja dhe aftësive konkurruese. Përmes kësaj do të ndihmojë në zhvillimin e ndërmarrjeve të qëndrueshme të porsaformuara dhe atyre ekzistuese.
Ndërkaq Jan Braathu ambasador i Norvegjisë në Kosovë në fjalimin e tij tha se ICK-ja do të jetë një qendër e kompetencës, ekspertizës dhe inovacionit, një vendtakim për biznesmenë por edhe për ndërmarrës potencialë.
“Do të jetë një qendër e optimizmit dhe besimi në mundësitë e ardhshme të zhvillimit ekonomik të Kosovës”, tha ambasadori Braathu duke shtuar se “ne dëshirojmë që të shohim qendrën që bëhet pikë takimi edhe për kompanitë dhe biznesmenët jashtë Kosovës.
Braathu tha se njerëzit e rinj të talentuar dhe të arsimuar të Kosovës e kanë mundësinë që në kuadër të ICK-së të shpalosin dhe realizojnë një pjesë të potencialit të tyre.
Kurse Mimoza Kusari-Lila zëvendëskryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë tha se teknologjia informative është esenciale për reformat e të bërit biznes. “Me anë të teknologjisë informative, bizneset kanë qasje më të lehtë dhe më të shpejt në dokumente”, tha ministrja Kusari – Lila. Duke treguar për rëndësinë e ICK-së Kusari-Lila tha se “jeni ju ata që do t’iu ndihmoni bizneseve të vogla të rriten, ndërsa është detyrë e jona ti mbajnë ato stabile”.
Nga ana tjetër, Vjollca Çavolli drejtoreshë ekzekutive e STIKK-ut tha se shoqata që ajo drejton ka kërkuar donatorë për një qendër si kjo. “Atë çka ne dëshirojmë të krijojmë është së pari vende të reja të punës për të rinjtë e Kosovës”, tha Çavolli duke shtuar se rinia jonë ka ide fantastike por s’ka ku t’i realizoj.
Andaj sipas saj rinia kosovare duhet fuqizuar dhe ti tregohet se ka një mundësi për ta për të bërë biznes.
“Teknologjia informative dhe ajo e komunikimit është sektori i vetëm ku rinia nuk detyrohet të dalë jashtë të punoj, mund të ofroj shërbime prej shtëpisë, zyres dhe prej kësaj qendre”, tha ajo. Kurse Michael Gold nga Crimson Capital tha se ndihet shumë i lumtur që po kontribuon si partner në ICK. Gold tha se Crimson Capital që shumë vite punon drejtëpërdrejt me bizneset e vogla kosovare. Ai tha se në Kosovë ka shumë potencial biznesi sidomos tek rinia.
Athene Prosjektledelse nga Norvegjia dhe Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK) janë themeluesit e ICK-së, kurse Crimson Capital është partner kryesor bashkëpunues. ICK-ja financohet nga Ministria Norvegjeze e Punëve të Jashtme.